Në përfundim të Samitit të Bashkimit Evropian të mbajtur në Bruksel, liderët e vendeve anëtare kanë riafirmuar angazhimin e tyre për të mbështetur integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Në deklaratën përfundimtare të samitit, Këshilli Evropian theksoi rëndësinë strategjike që ka zgjerimi i BE-së në këtë rajon, duke e cilësuar integrimin si një proces që kontribuon në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë kontinentit.
“Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të punuar me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit. Do të vazhdojmë të nxisim dhe të mbështesim përpjekjet e tyre për reforma dhe për të përmbushur kriteret e nevojshme të anëtarësimit,” thuhet në dokumentin zyrtar të miratuar nga liderët evropianë.
Udhëheqësit e BE-së vlerësuan progresin e bërë deri më tani nga vendet e rajonit, por njëkohësisht theksuan nevojën për përshpejtimin e reformave kyçe, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ky mesazh vjen si një konfirmim i qartë politik se dera e BE-së mbetet e hapur dhe se perspektiva evropiane është reale dhe e arritshme, për aq kohë sa vendet përmbushin angazhimet e tyre reformuese. /Versus.al







