
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot takimin e radhës të Foltores në qytetin e Korçës, aktivitet që përkoi me 35-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në këtë qytet.
Berisha u shoqërua nga drejtues lokalë të partisë, përfaqësues të strukturave, mbështetës, si dhe nga drejtuesi politik për qarkun Korçë, deputeti Ivi Kaso, së bashku me deputetë të tjerë demokratë.
Gjatë aktivitetit në Korçë, kryetari i degës lokale të PD-së bëri thirrje për dorëheqjen e qeverisë socialiste dhe apeloi për qëndresë deri në fund. Ndërsa drejtuesi politik i qarkut, Ivi Kaso, akuzoi mazhorancën për përfshirje në skandale korrupsioni, duke kërkuar rrëzimin e pushtetit që, sipas tij, është shndërruar në regjim dhe bashkimin e opozitës.
Në fjalën e tij, Sali Berisha uroi 35-vjetorin e degës së Partisë Demokratike në Korçë dhe theksoi qëndrueshmërinë e saj ndër vite.
“Gëzuar festat nga zemra, kudo që jeni, më të mirat për Korçën dhe Shqipërinë. Nderojmë në radhë të parë ata korçarë atdhetarë që u ngritën për herë të parë kundër regjimit 35 vite më parë dhe ngritën degën e parë të partisë këtu, për dinjitetin e Korçës dhe Shqipërisë”, tha Berisha.
Më tej, kreu i PD-së foli për, sipas tij, përpjekjet e mazhorancës dhe të kryeministrit Edi Rama për të dobësuar dhe copëtuar opozitën.
“Ne vijmë në këtë 35-vjetor si e vetmja parti pa asnjë tjetër, në të gjitha vendet ish-komuniste, që jemi gjallë, në këmbë, të fortë dhe të sigurtë në fitore. Jemi një forcë ndaj të cilës në mënyrë të padrejtë u morën akte brutale, të turpshme, në projektin Shqipëria pa opozitë, projekt për copëtimin e saj, me qëllimin Shqipëria pa opozitë. Për izolimin më të thellë të forcës më properëndimore në historinë e kombit, megjithatë ne triumfuam. Ne u ringritëm me kauzat tona, nga izolimi, si feniksi nga hiri u ringritëm”.
Berisha hodhi gjithashtu akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Rama, duke e akuzuar për përqendrim të pushteteve.
“Donin të na shkatërronin, kauzat tona u sanksionuan me 7 rezoluta. Rama donte të na zhdukte, si diktaturë, që ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij”, - u shpreh kreu i selisë blu.

Takimi u mbajt në të njëjtën orë me bashkëbisedimin që ish-deputeti Ervin Salianji zhvilloi në Shkodër me demokratët e këtij qyteti, në kuadër të nismës së tij për riformatimin e Partisë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.
Një moment pikant është regjistruar gjatë takimit të Ervin Salianjit me demokratët e Shkodrës. Ka qenë një qytetar i cili në fund të takimit është ngjitur në podium dhe ka shpjeguar se pse ai ndodhej në takim.
Qytetari tha se prej 3 dekadash jetonte në SHBA dhe se i ishte bashkuar takimit kur kishte mësuar se aty ndodhej ish-deputeti demokrat dhe salla ishte mbushur nga të rinj. Ai tha se nuk do ta bënte një gjë të tillë as për Berishën dhe as për Ramën, ndonëse sqaroi se nuk ishte partiak.

