Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me mbështetësit demokratë në Korçë, ka hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës qeverisëse, duke e cilësuar Ergys Agasin si “kryeministrin në hije” të pushtetit aktual. Sipas Berishës, roli i tij ka qenë kyç në veprimet e qeverisë dhe ditët e kësaj mazhorance janë drejt fundit.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi drejtpërdrejt edhe kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se vera me vlerë disa miliona euro e gjetur në banesën e Agasit i përket në fakt kreut të qeverisë. Sipas tij, kjo verë është zhdukur më pas nga ambientet ku ishte sekuestruar dhe është dërguar në Lundër, një veprim që Berisha e cilësoi si provokim të hapur ndaj qytetarëve.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i PD-së akuzoi qeverinë për korrupsion dhe abuzim me pushtetin, duke e krahasuar situatën aktuale me regjime autoritare dhe duke theksuar vendosmërinë e opozitës për përmbysjen e saj.
“Tani, urdhëroni standardin e hajdutëve. Ju keni vjedhur, jam kryeministër, ju kam vjedhur, do t’ju vjedh. Absolutisht do të përmbysim. Siç kemi përmbysur shtatoren e Enver Hoxhës, do përmbysesh Edi Rama. Këta, miq, kanë kaluar në akte nga më të pandodhshmet në Europë, përveçse në diktaturat e dikurshme të Afrikës.
Ju më keni dëgjuar mua, sa herë kam lakuar emrin e Ergys Agasit. E çfarë del tani? Ai ishte zëvendëskryeministër në hije. Ishte zv/kryeministër në hije. Pse? Sepse atë përdorte Edi Rama për shumicën e krimeve të tij.
AKSHI, ajo E-Albania, futet këshilltari, koordinatori i bandave me 15-vjeçar, me 1000 euro regjistron biznesin e EA Solution. Me 15-vjeçar, në arkën e tij, në kontot e, në konton e tij 232 milionë euro, pa asnjë shpenzim përveç rrogave të dy vetëve në sipërmarrje.
232 milionë euro, pa importuar asnjë majë lapsi, pa shpenzuar as dhe një fletë format, vetëm duke paguar dy vetë në sipërmarrje dhe paratë tuaja, paratë tuaja nga kopshti privat i Edi Ramës, në kontot e tij. Dhe kjo është vetëm njëra anë.
Rrëmbime, pengmarrje, zhdukje njerëzish, që të gjitha, ju konfiskuan verën e Edi Ramës. Është e Edi Ramës ajo. E mori, mirë e bukur, nga shtëpia ku u konfiskua, nga magazina, nga që qilari, ku u konfiskua, e çoi në, është i filmuar, janë filmuar makinat që shkojnë drejt Lundrës sipër.
Pra, a ka provokim më të madh ndaj nesh se ky? Jo, nuk ka.
Ky është një provokim i jashtëzakonshëm. Dhe ne tani jemi në këmbë, jemi më të vendosur se kurrë”, tha Berisha.

