POLITIKË /

"Super e Martë", Kos: Sot Shqipëria mbyll kapitujt e parë, Mali i Zi në fazën përfundimtare

Sot delegacioni shqiptar do të formalizojë mbylljen e 3 kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE.

Shkruar nga Versus

"Super e Martë", Kos: Sot Shqipëria mbyll kapitujt e

Komisionerja e KE për zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos ka publikuar një video në rrjetin e saj social ku e cilësoi ditën e sotme si “Super e Martë” për procesin e zgjerimit të unionit.

Kos tha se për herë të parë në 2 dekada, do të mbahen 4 konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë, konkretisht për vendet si Ukraina, Moldavia, Mali i Zi dhe Shqipëria. Vendi ynë mbylll sot kapitujt e parë, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim.

“Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e BE-së. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po mbajmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që janë në krye të procesit- Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi- po hedhin të gjitha hapa të rëndësishëm përpara.

Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt. Tani, ky momentum i krijuar sot duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”- tha mes të tjerash komisionerja.

Sot delegacioni shqiptar me kryesimin e kryeministrit Edi Rama do të formalizojë mbylljen e kapitullit 25 për shkencën dhe kërkimin, kapitullit 26 për arsimin dhe kulturën dhe kapitullit 30 që ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë të harmonizuara sipas standarteve të BE.

Konferenca ndërqeveritare do të nisë në orën 19:00, ndërsa në orën 20:00 do të mbahet një konferencë për shtyp, ku pritet të prezantohet ecuria më e fundit e procesit të integrimit europian. Versus.al

Poll