AKTUALITET /

“Janë paguar 500 mijë euro për të më vr*rë”, i kërkuari për atentatin e Rinasit: Më erdhën njerëz që të bëj be me zakon

Shkruar nga Versus
“Janë paguar 500 mijë euro për të më
Viktima, Gilmando Dani, miku i tij Emiliano Shullazi, i shpalluri në kërkim, Ylli Zalla

Ylli Zalla, personi i shpallur në kërkim nga policia për atentatin e ndodhur nëntorin e vitit të kaluar në Rinas ku u ekzekutuan brutalisht Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, ka reaguar për të disatën herë nga arratia duke mohuar çdo akuzë ndaj tij për këtë ngjarje.

Në një intervistë për gazetarin Spartak Koka, Zalla u shfaq në shtëpinë e tij nga ku dha versionin e tij duke këmbëngulur se për ngjarjen ishte informuar nga televizori dhe se nuk kishte asnjë lidhje.

Ai tha se në momentin e atentatit, ndodhej në banesën e tij në Fushë Krujë dhe më pas ishte larguar për disa orë drejt Patokut dhe pasi ishte kthyer kishte parë lajmet.

“Mua s'më lidh asgjë, nuk kam lidhje fare. Vetëm në televizor i kam parë pamjet filmike. Nuk i njoh vrasësit. Nuk i kam shitur askujt as armë, as makinë. Shteti e di pse vjen te unë, për të mbuluar gjërat e tyre. Shefi i zonës e di”, ka thënë Zalla.

Sa i takon Emiliano Shullazit i cili ishte mik me Gilmando Danin, Ylli Zalla tha se nuk kishte njohje direkt me të, por se mund të ishin takuar nëpër burgje. Më tej u shpreh se përmendja e tij në këtë ngjarje, i kishte hapur probleme me njerëz të tjerë të cilët i kishin shkuar në banesë duke i kërkuar të betohej se nuk kishte lidhje me ngjarjen. Ai pretendoi se janë paguar 500 mijë euro për eleminimin e tij fizik.

“Do dorëzohem, të dalë e vërteta dhe të zbardhet ngjarja e Rinasit. Mua më kanë futur në hasmëri. Më ka futur shteti në hasmëri me ngjarjen e Rinasit. Më kanë ardhur njerëz që të bëj be me zakon. Më kanë ardhur njerëzit që të bëj be për burrni. I kam bërë be si ta dojë ai, sepse nuk kam lidhje fare me këtë punë. As kam shitur, as nuk do shes. Shteti t'i zbardhë dhe jo të më turrët mua. E kam zbuluar në mënyrë private që shteti do të më vrasë. Kanë paguar bandat 500 mijë euro që të vrasin Ylli Zallën. Bandat me shtetin”- shtoi i arratisuri. Versus.al

Poll