AKTUALITET /

Dokumentet/ Zjarri në Gjirin e Llamanit, ‘rastësisht’ në vendin ku Muçobega do ndërtojë resort me 50 vila e hotel

Deri më tani nuk dihet nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm. Por bie shumë në sy fakti se pikërisht në vendin ku u shkrumbuan shkurret dhe gjelbërimi, do të ngrihet resorti luksoz i Muçobegës.

Shkruar nga Versus
Dokumentet/ Zjarri në Gjirin e Llamanit, ‘rastësisht’
Zjarri në Gjirin e Llamanit dhe biznesmeni Arben Muçobega

Një zjarr masiv përfshiu mbrëmjen e djeshme kodrën mbi Gjirin e Llamanit në Himarë duke djegur sipërfaqe të tëra me shkurre dhe bimësi. Por pas disa verifikimeve të bëra, bie në sy fakti se pikërisht në të njëjtën zonë ku ra zjarri, është planifikuar ndërtimi i një resorti turistik me sipërfaqe prej 101 mijë metrash katrorë me hotel luksoz dhe dhjetëra vila.

Dokumentet e siguruara nga Versus.al tregojnë se ndërtimi i resortit është planifikuar në kodrën që mbrëmë u përfshi nga flakët dhe u desh ndërhyrja e 17 efektivëve zjarrfikës për të bërë të mundur izolimin e flakëve. Projekti me zhvillues kompaninë “Bega 07” të Arben Muçobegës parashikon ndërtimin e një hoteli me 5 yje, 50 vila, apartamente, restorante dhe ambiente të tjera turistike të shpërndara përgjatë gjithë shpatit të kodrës.

Dokumentet/ Zjarri në Gjirin e Llamanit, ‘rastësisht’

Kjo kompani rezulton të ketë përfituar edhe tendera publikë nga bashkitë e qyteteve të ndryshme të vendit. Ndërsa më datë 25 shtator, 2024 me vendimin nr.13, kryeministri Edi Rama si drejtues i Këshillit Kombëtar të Territorit, ka firmosur lejen për zhvillimin e resortit multifunksional me hotel, vila dhe shërbime në Himarë, nga shoqëritë “Bega-07 Sh.p.k” dhe “Capital B Sh.p.k”.

Dokumentet/ Zjarri në Gjirin e Llamanit, ‘rastësisht’

Megjithatë, nuk ka asnjë provë që zjarri në një prej gjireve më të bukura të vendit të ketë qenë i qëllimshëm. Mbetet për t’u parë se çfarë do të nxjerrin hetimet mbi shkaqet e zjarrit.

Dyshimet rreth Muçobegës

Më herët, mediat kanë raportuar se SPAK e BKH po e hetojnë biznesmenin për pastrim parash, por nga organet ligjzbatuese nuk ka patur ndonjë masë ndaj tij. Dyshimet për aktivitetin e tij u shtuan pasi nga një firmë riparimi banesash e stallash në fshat, Muçobega kaloi në ndërtues pallatesh, hotelesh, e resortesh dhe e gjitha kjo ndodhi si “me shkop magjik”.

Kompania e tij së fundmi ka marrë sërish leje ndërtimi për të zhvilluar një kompleks me 15 godina deri në 9 kate në zonën e Liqenit të Thatë. Versus.al

 

Poll