Sali Berisha, Kreu i PD-së, ka zhvilluar një takim me drejtuesit politikë, 4 prej të cilëve munguan në këtë mbledhje, më konkretisht Ina Zhupa, Albana Vokshi, Jozefina Topalli dhe Luçiano Boçi.
Nga selia e PD-së, ai nisi fjalën e tij me mirënjohje ndaj mbështetësve demokratë që i besuaan votën e tyre Berishës. Më tej, ai vë theksin në procesin e zgjedhjeve që sipas kreut të PD-së, janë vjedhur.
“Mirënjohje për qindra e mijëra qytetarë që në kushtet më të vështira votuan si qytetarë të lirë për vlerat ideale që besonin dhe votuan kundër një regjimi që në traditën më antidemokratike ka shndërruar krimin në faktor kryesorë elektoral, krimin në votë dhe votën në krim.
Mirënjohje e veçantë për të gjithë komisionerët që përballen prej 3 ditësh me presione dhe mbrojnë me integritet votën e shqiptarëve. Gjithashtu mirënjohje ndaj strukutrave në këtë proces që pati si rezultat final plaçkitjen më të madhe të votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar.
Në këto zgjedhje u faktua në mënyrë të pakundërshtueshme se sa më e madhe vjedhja dhe korrupsioni aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre, vota në krim.
Regjimi që grabiti zgjedhjet e 11 majit nuk e bëri këtë fshehtas, e bëri këtë publikisht duke përdorur për këtë qëllim të gjithë potencialin e narkoshtetit me vendime qeverie. Ai shpërndau dhuratë për votë 70 milionë euro, 760 mijë pensionistëve të cilët në hartën aktuale elektorale përbëjnë 48% të zgjedhësve në Shqipëri. Kjo është shkelje publike e rëndë”, u shpreh Berisha.







