Nga Hasi kryedemokrati Sali Berisha ka shpalosur ambiciet e tij, teksa na ndajnë vetëm shtatë ditë nga zgjedhjet parlamentare. Ai thotë se nuk kërkon as pushtet dhe as para por ka si qëllim të ndryshojë jetën e qytetarëve shqiptarë. Në një fjalim të mbajtur para mbështetësve dhe qytetarëve të zonës, Berisha tha se është i vendosur të sjellë një ndryshim të thellë në vend, duke e quajtur këtë një “ambicie të papërmbajtur”.
“Nuk kam asnjë ambicie as për pushtet, as për para. Kam një ambicie të papërmbajtur, të ndryshoj jetën e shqiptarëve për mirë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se nuk u kërkon shqiptarëve një mandat të gjatë qeverisës, por vetëm mundësinë për të sjellë një kthesë vendimtare në funksionimin e shtetit dhe ekonomisë. Berisha premtoi se do të rikthejë paratë dhe të drejtat e qytetarëve, të cilat sipas tij janë plaçkitur ndër vite nga qeverisja aktuale.
“Nuk ju kërkoj as katër, as gjashtë, as dymbëdhjetë vite. Kam vetëm një ambicie të papërmbajtur: t’u kthej shqiptarëve paratë e tyre, e jo t’ua plaçkitin. Të krijoj një mundësi reale për çdo shqiptar, veçanërisht për të rinjtë që sot përballen me mungesën e shpresës”, deklaroi ai.
Në vijim të fjalimit, lideri demokrat u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim bindjeje politike, që të bashkohen për një ndryshim të madh. Ai i ftoi demokratët, socialistët, të papartitë dhe diasporën të mbështesin “shansin e 100 ditëve” që, sipas tij, do të hapë një kapitull të ri për Shqipërinë.
“Ftoj çdo socialist, çdo të lëkundur dhe të paparti të Hasit, diasporën, të votojnë ndryshimin, shansin e madh të 100 ditëve. Shqipërisë do t’i hapim një kapitull të ri, do e ndajmë nga e keqja e madhe, dhe do krijojmë një mundësi të re që vendi të ecë në rrugën e zhvillimit,” përfundoi Berisha.
Deklaratat e tij vijnë në një moment të rëndësishëm për opozitën, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhje të mundshme dhe përballje të reja politike. /Versus.al/








