POLITIKË /

“Citim i shtrembëruar!” Rama përgënjeshtron deklaratën se Shqipëria nuk do të rinovojë marrëveshjen me Italinë

Pas intervistës së ministrit të Jashtëm për Euractiv që ngriti dyshime për zgjatjen e marrëveshjes pas vitit 2030, Kryeministri Rama konfirmon vijimin e protokollit Shqipëri–Itali

Shkruar nga Versus

“Citim i shtrembëruar!” Rama përgënjeshtron

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimeve në media ndërkombëtare dhe një interviste të ministrit të Jashtëm që ngriti pikëpyetje mbi të ardhmen e marrëveshjes së migracionit mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në një reagim publik, Rama ka përgënjeshtruar interpretimet që sugjeronin se pakti nuk do të zgjatej përtej vitit 2030, duke theksuar se marrëveshja mbetet në fuqi dhe do të vijojë për sa kohë që Italia e kërkon atë.

“Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia do ta dojë atë,” u shpreh Rama, duke iu drejtuar edhe mediave italiane dhe ndërkombëtare që kishin raportuar mbi çështjen.

Deklaratat e ministrit të Jashtëm për Euractiv

Reagimi u ndez pas një interviste të ministrit të Jashtëm shqiptar për Euractiv, ku u hodhën dyshime mbi mundësinë e zgjatjes së marrëveshjes përtej vitit 2030.

Ministri deklaroi se pakti aktual është një marrëveshje pesëvjeçare, e ratifikuar në vitin 2024, dhe se nuk është e sigurt nëse do të ketë zgjatje pas përfundimit të saj.

Sipas tij, një nga arsyet kryesore është perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që do të ndryshonte edhe statusin juridik të qendrave të ngritura në Gjadër dhe Shëngjin.

“Kur Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, territori nuk është më ekstraterritorial,” u shpreh ministri, duke nënvizuar se marrëveshja është konceptuar për një periudhë të kufizuar kohore.

Kontrata Shqipëri–Itali dhe qendrat e migrantëve

Marrëveshja mes Tiranës dhe Romës, e firmosur në fillim të vitit 2024, parashikon përdorimin e qendrave në Gjadër dhe Shëngjin për menaxhimin e emigrantëve të ndaluar nga Italia, në kuadër të politikave të jashtme të migracionit të qeverisë së Giorgia Melonit. Sipas raportimeve ndërkombëtare, qendrat fillimisht u konceptuan si pika për përpunimin e kërkesave për azil, por më pas u përshtatën për mbajtjen e emigrantëve me kërkesa të refuzuara, në pritje të riatdhesimit.

Debati politik dhe juridik në Evropë

Marrëveshja ka qenë objekt debatesh të forta politike dhe sfidash ligjore në Itali, ndërsa në prill mori një mbështetje të pjesshme pas një opinioni të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, që e konsideroi skemën të përputhshme me ligjin europian. Pavarësisht kësaj, çështja mbetet e diskutueshme në opinionin publik dhe në qarqet politike evropiane, veçanërisht për shkak të rolit të Shqipërisë si vend pritës jashtë kufijve të BE-së.

Qëndrimi i Tiranës
Në këtë kontekst, Kryeministri Rama ka theksuar se Shqipëria mbetet një partner i besueshëm për Italinë dhe se marrëveshja nuk është në rrezik. Sipas tij, bashkëpunimi me Romën është strategjik dhe i veçantë, ndërsa vijimi i tij varet nga vullneti i palës italiane.

“Italia kishte nevojë për ndihmë. Ne e ndihmuam dhe kjo nuk duhet harruar,” është shprehur ministri i Jashtëm shqiptar në deklarimet e cituara nga media ndërkombëtare.

 

 

 

 

Poll