
Kandidati Zeqir Kordhoni nuk tërhiqet nga mandati i deputetit, duke i dhënë fund shpresave të Adriatik Lapajt për të hyrë në Kuvend në shtator.
Në një letër drejtuar KQZ-së, Kordhoni pjesë e listës së mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” ka kërkuar që, në rast shpalljeje si fitues, të ushtrojë mandatin e deputetit.
Koalicioni në fjalë kishte përfshirë në listën e Tiranës 12 kandidatë fiktivë që pritet të heqin dorë nga mandati, me synimin që vendin ta zinte kandidati më i votuar nga lista e hapur, pra Lapaj.
Por Kordhoni ka vendosur të mos e djegë mandatin dhe i ka kërkuar zyrtarisht Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të mos marrë parasysh asnjë deklaratë tjetër të bërë në emrin e tij nga koalicioni.
'Unë, i nënshkruari Zeqir Kordhoni, kam kandiduar për Koalicionin "Nisma Shqipëria Bëhet" në qarkun e Tiranës në zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.
Përmes kësaj deklarate të nënshkruar përpara noterit sot, më datë 15.07.2025, dua të vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vullnetin tim të plotë për të ushtruar funksionin e deputetit, në rast se shpallem fitues, pas shpërndarjes së mandateve në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë.
Në këtë kuadër, kërkoj që KQZ të injorojë çdo deklaratë tjetër të depozituar më parë nga Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" ose në emrin tim, dhe të marrë në konsideratë vetëm këtë deklaratë si shprehje të qartë dhe të vlefshme të vullnetit tim.' shkruan nw letwr Kordhoni.
Edhe ditë më parë Kordhoni me profesion punëtor ndërtimi por pwrfitues i KEMP, daja i Endrit Shabanit i cili së bashku me Lapajn krijuan koalicionin për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit iu drejtuar KQZ-së për të verifikuar dorëheqjen që, sipas tij mund ta ketë firmosur por nuk e mbante mend.
Ndërsa vetë Endri Shabani, është shprehur se të gjithë kandidatët e listës së mbyllur do të respektonin marrëveshjen që ishte bërë para zgjedhjeve.
“Të gjithë ata që kanë hyrë në listë të mbyllur kanë hyrë me zotim për të dhënë dorëheqjen. Kjo është thënë publikisht dhe është lehtësisht e verifikueshme në çdo kohë”, është shprehur Shabani./Versus.al







