Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u paraqit në Kuvend pasi kreu homazhet në përkujtimin e ish-deputetit të PD Azem Hajdari. Duke e cilësuar Kuvendin si jo legjitim, Berisha tha se prania e opozitës është një ndër mënyrat për të treguar se është ekzistente dhe se do të luftojë përballë qeverisë.
“Ky është një akt absolutisht në një mjedis jo legjitim dhe ky është një hap që ne bëjmë në një përpjekje më të fuqishme që kjo forcë ka bërë në ekzistencën e saj për çlirimin e shqiptarëve nga narkodiktatura. Ne zotohemi të vazhdojmë këtë betejë me të gjitha forcat tona. Fitorja vjen vetëm me betejë dhe përpjekje, jo me tërheqje. Mund ta kishim nisur në shumë forma, por kjo është prova e ekzistencës së opozitës në Shqipëri. Demokracia shqiptare është në agoni, shteti është zëvendësuar me shtetin e mafias”- tha Berisha.
I pyetur për kandidaturën e PD për bashkinë e Tiranës, Berisha tha se çdo vendim do t’u bëhet i ditur mediave ndërsa nuk përjashtoi as mundësinë e bojkotit duke e cilësuar si ‘më të lehtën”.
“Të gjitha vendimet do t’ju bëhen të ditura, por ju garantoj se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira. Ka dy taktika, edhe mund të bojkotojmë zgjedhjet. Por në përpjekjen e betejës, bojkoti është një formë, por ndoshta forma më e lehtë.
Edi Rama për të mbuluar këtë piramidë krimi që ngrihet sot para shqiptarëve në parlamentin e karteleve të drogës nxori nga qelia përsëri Erion Veliajn dhe do të tërheqë mediat me problemin e bashkisë së Tiranës dhe përmallimin e madh të Ogertës. A e patë ju si u shkri në dënese Ogerta kur mori lajmin se do kandidohet. Janë shashka për mediat dhe opozitën. Ne do marrim drejtimin tonë kryesor, betejën për rikthimin e votës së lirë”- deklaroi më tej kryedemokrati. Versus.al







