Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar sot në lidhje me denoncimin e Partisë Demokratike për dyshime mbi manipulim të votave në KZAZ nr. 40, përmes të ashtuquajturit fenomen “treni bullgar”.
Sipas PD-së, janë konstatuar fletë votimi me parregullsi, përfshirë ndryshime në ngjyrën e bojës, që nuk përputhen me fletët zyrtare të KQZ-së. Subjekti opozitar ka kërkuar zyrtarisht pamjet filmike të qendrës së numërimit për të hetuar rastin.
Në një deklaratë për media nga Parku Olimpik i Tiranës, Celibashi theksoi
“Jam njohur publikisht me këtë denoncim dhe garantoj se KQZ do të vërë në dispozicion të gjitha materialet që kërkohen nga subjektet politike, përfshirë edhe pamjet filmike.”
Ai shtoi se nëse verifikohet ky skenar, bëhet fjalë për një vëprim të rëndë penal:
“Nëse kjo ka ndodhur, jemi përpara një vepre penale. Duhet fokus maksimal për të zbardhur të vërtetën dhe për të dhënë përgjigjen e merituar, nëse fenomeni i ‘trenin bullgar’ është provuar – pra futja e fletëve të falsifikuara nga jashtë dhe dorëzimi i fletëve origjinale te sponsorizuesit.”
Celibashi apeloi për transparencë dhe përgjegjshmëri, duke e cilësuar rastin si një çështje serioze që kërkon hetim të thelluar dhe trajtim institucional. /Versus.al/







