
Kryeministri Edi Rama publikoi një video në rrjetet sociale përpara konferencës me ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato i cili do t’i dorëzojë progress raportin e përgatitur nga BE për Shqipërinë gjatë vitit 2025.
Rama foli sërish për pensionet duke premtuar që në 2030-ën do të pesëfishohet rritja vjetore e buxhetit që qeveria do të ketë për pensionet. Ndërsa tha më tej se duke nisur nga 1 janari, paga minimale në gjithë vendin do të rritet në 500 euro duke synuar që brenda mandatit të katërt të PS të arrijë në 700 euro.
“Padyshim që pjesën e luanit në projektbuxhetin 2026 e zënë pensionistët të cilët e nisim vitin eardhshëm me 100 mln euro shtesë përveç indeksimit. Në 2027-ën e dyfishojmë shtesën 200 milionë euro plus indeksimi 45 milionë euro, në 2028-ën e trefishojmë, 300 milionë euro, në 2029-ën e katërvishojmë me 400 milionë euro dhe në 2030-ën e pesëfishojmë, 500 milionë euro. Pra janë rreth 1.7 miliardë euro më shumë që pensionistët do marrin mbrapsht nga investimi i tyre për mandatin tonë qeverisës. Nga 1 janari do të rritet edhe paga minimale për 307 mijë punonjës që do marrin pagën minimale 500 euro. Gjatë këtij mandati paga minimale do arrijë 700 euro. Jo vetëm kaq, por do subvencionojmë me 900 milionë euro shtesën e kostove të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat”- u shpreh Rama.
Ndërsa më tej tha se mandati i katërt i marrë nga populli është arsye për të mos pushuar në përmbushjen e objektivave të premtuar.
“E pra ja kështu, fiks kështu, ky jam unë dhe këta jemi ne, bëjmë atë që themi. Ato 83 mandate që na dhatë për të qeverisur Shqipërinë në mandatin e 4 dhe për ta ulur në tryezën e BE si të barabartë, janë 83 arsye më shumë sesa deri dje për të mos fjetur gjumë, për të punuar pa pushim dhe për t’ju kthyer ju me të gjithë pasionin dhe dashurinë e mundshme të gjithë atë që na dhatë, besim të jashtë zakonshëm që është privilegj i jashtëzakonshëm”- u shpreh Rama. Versus.al

