POLITIKË /

"Do japin llogari ata që punuan për PS", Berisha për situatën në PD: Alimehmeti e Salianji s'kanë sjellë platformë

Berisha tha se Alimehmeti e Salianji nuk i kishin paraqitur ndonjë platformë, por shtoi se ata e kishin bërë zgjedhjen e tyre me takimet private që po organizojnë.

Shkruar nga Versus
"Do japin llogari ata që punuan për PS", Berisha për
Ilir Alimehmeti, Ervin Salianji, Sali Berisha

Kryetari i PD, Sali Berisha ka mbajtur sot një konferencë për mediat ku foli për analizën që ka nisur të bëhet brenda partisë. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për riorganizimin e PD, Berisha tha se analiza që po bëhet nuk është gjueti shtrigash, por do të nxirren para strukturave emrat e atyre të cilët nuk punuan asnjë ditë në fushatë dhe të atyre që punuan për socialistët.

“Foltorja ka qëllimin e vet, debat të hapur, pa filtra para kamerave me mbështetësit tanë, shënojmë kritikat që bëjnë, në mënyrë që të përmirësohemi, por do ishte jo reale nëse do pretendohej që ne me foltore ne ezaurojmë analizën e punës sonë. Do bëhet në çdo qelizë, nuk jemi parti e gjahut të shtrigave, por as symbyllur s’jemi. Mbaruan zgjedhjet, pati nga ata që kishin marrë rrogën si deputet të PD, të tjerë anëtarë kryesie që shkuan u punësuan, u bënë drejtorë, këshilltarë në strukturat e narkoshtetit. Pati edhe të tjerë që gjatë fushatës elektorale nuk kanë punuar asnjë ditë, pati të tjerë që shkuan me pushime, apo që punuan për PS. Këta do japin llogari, do jenë strukturat që do e përcaktojnë qëndrimin ndaj tyre, do bëjnë të gjitha propozimet, mendimet. Do ketë diskutime, do ia themi njëri-tjetrit gjërat. Ka patur raportime për njerëz që kanë punuar kundër, por është lënë të bëhet analiza”, tha Berisha.

Përsa i takon lëvizjes së re brenda PD nga Ervin Salianji, Berisha tha se nuk impresionohet nga takimet private. Ndërsa shtoi se Ilir Alimehmeti i kishte kërkuar takim, por nuk i kishte sjellë ndonjë platformë.

“Asnjë takim privat nuk më impresionon. Asnjë takim privat! Absolutisht. Ndërkohë, do të dëgjohet çdo zë brenda forumeve. Ky besoj, kjo është detyra ime, ky është parimi për çdo forcë politike demokratike. Por ata që zgjedhin privaten, zgjedhin privaten, kanë bërë zgjedhjen e tyre.

Ilir Alimehmetin e ka pritur, ka kërkuar takim dhe e kam pritur. Anëtari i kryesisë, Salianji nuk ka kërkuar. ... Alimehmeti nuk ka sjellë asnjë platformë, kemi bërë një bisedë dhe pak a shumë i kam thënë këto që po u them ju. Ne kemi një statut, kemi një vullnet. Por një gjë ta dijë kushdo, për asnjë lloj qëndrimi, unë Edi Ramës nuk i jepja luksin, nuk i jepja material kundër raportit të OSBE/ODIHR. Atë nuk e bëja kurrë unë. Se unë dy premtime të thjeshta kam pasur. Kam premtuar se do mbroj votën dhe ripërsërita për këtë, në kushte jo të lehta, 2001-shin, e mbrojta votën, ja ku i keni”- shtoi më tej Berisha. Versus.al

Poll