POLITIKË /

“Do shkoj nesër në SPAK për 21 janarin”, Berisha: Rama, fajtori kryesor! Veliaj hidhte bojë të kuqe

Shkruar nga Versus

“Do shkoj nesër në SPAK për 21 janarin”, Berisha:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar për mediat se nesër do të paraqitet në SPAK për t’u pyetur si person në dijeni për 21 janarin, protestën e 2011-ës para qeverisë ku u vranë 4 protestues.

Berisha e cilësoi hetimin si “politik” duke theksuar se më herët SPAK nuk kishte pranuar ta hetonte ngjarjen sepse sipas tij del që fajtori kryesor ka qenë kryeministri Edi Rama, asokohe kryetar i opozitës.

“Do shkoj nesër. Nesër do jem aty. Ndonëse e deklaroj që sot që ky është një hetim politik, sepse ajo çështje është hetuar me ekspertë shqiptarë, ndërkombëtarë e me radhë. Është hetuar ajo. Është bërë i plotë hetimi në të katër anët. Por nuk jam thirrur, nuk më kanë pyetur njëherë. A e di pse nuk më kanë pyetur? Se isha njeri i sulmuar, isha njeri i rrethuar. Ndaj dhe nuk u leverdiste të më thërrisnin.

Tani thërrasin, sigurisht që unë do të shkoj. Unë kam qenë 5-6 orë sa ka vazhduar në rrethim në përpjekje për të pushtuar kryeministrinë. Ajo ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit. Me qindra e mijëra gurë janë hedhur drejt gardistëve në një kohë kur ligji përcakton qartë se cili është reagimi i rojes kur qëllon me gurë drejt tij. E ka të shkruar ligji i votuar nga socialistët. Janë hedhur eksplozivë drejt tyre. U përdor makina për të thyer derën”- tha Berisha.

Sipas Berishës, ka patur një përfshirje të Ramës dhe kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj që asokohe të nxisnin sa më shumë zemërim tek protestuesit që kishin rrethuar kryeministrinë.

“E vërteta është se SPAK e ka refuzuar këtë çështje. Pasi ka shqyrtuar dosjen, e ka refuzuar të themi atë që është, sepse e ka parë se autori kryesor i gjithë atij skenari është Edi Rama.  Cilido që e sheh atë dosje, del Edi Rama lakuriq. Del Erion Veliaj duke hedhur bojë të kuqe, është identifikuar edhe personi, sikur është gjak, për të nxitur më shumë. Ndaj dhe Skapi nuk pranoi ta shqyrtojë. Ajo që thonë se Gjykata e Strasburgut, tha vrasje shtetërore, e kam thënë unë përpara. Pse e kam thënë. Sepse ka vrasje me dashje, ka vrasje pa dashje”- shtoi Berisha. Versus.al

Poll