POLITIKË /

“Do të humbasin më keq se në ’97-ën”, Rama ‘parashikon’ rezultatin e PD-së në zgjedhje: Më pak se 25 deputetë

Rama tha se me situatën aktuale ku ndodhet, PD nuk do mund të marrë as 25 deputetë, aq sa mori në 1997-ën.

Shkruar nga Versus

“Do të humbasin më keq se në ’97-ën”, Rama

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Asamblesë së PS-së bëri një “parashikim” mbi zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, duke u shprehur se besonte që PD do të merrte edhe më pak mandate sesa në vitin 1997.

Duke përmendur edhe patronazhistët, Rama tha se një informacion të tillë e merrte nga struktura e ngritur për matjen e opinionit të qytetarëve në çdo muaj.

“E vetmja gjë që është më keq sot sesa 11 vite më parë është PD-ja. Mbajeni mend këtë fjalë, unë nuk shoh filxhan dhe as nuk parashikoj të ardhmen por dimë të lexojmë mendjen e popullit, jo vetëm se kemi patronazhistët por sepse kemi një strukturë shkencore të kolauduar që bën anketimet e përmuajshme të opinioneve të njerëzve. Në zgjedhjet e ardhshme, PD-ja zor se do marrë më shumë mandate se në vitin 1997, mbajeni shënim.

Atëherë e tërë Shqipëria ishte në humnerën ku ra ajo parti ndërsa këtë herë humnera është destinacion ekskluziv i vetëm asaj partie, e zgjedhur prej udhëheqësve udhëprerës të saj. Disa thonë se sot Shqipëria është vend pa të rinj, pa të ardhme dhe me borxhe”- tha Rama.

Më tej kryesocialisti tha se gjatë qeverisjes së PS, Prodhimi i Brendshëm Bruto u dyfishua nga ai çfarë ishte gjatë qeverisjes së demokratëve.

“Shqipëria ishte ashtu kur populli i largoi ata që i thonë këto me të madhe. Sot përditë Shqipëria ecën duke arritur rezultate më të dukshme në çdo drejtim. Një shifër, nuk e kam nxjerrë nga sirtari i PS por nga google. Kur ne morëm detyrën PBB ishte 12.7 miliardë dollarë, brenda 1 dekade ne e kemi dyfishuar atë në rreth 25 miliardë dollarë”- shtoi kryeministri.

Kujtojmë se në vitin 1997, Partia Demokratike arriti të merrte vetëm 25 deputetë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të mbajtura në dy raunde si pasojë e situatës së luftës civile ku ndodhej vendi. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: