POLITIKË /

"E kam patur në mendje që kur isha kryebashkiak", Rama për lirimin e hapësirave publike: Duam të jemi kampionë në turizëm

Shkruar nga Versus

"E kam patur në mendje që kur isha kryebashkiak", Rama

Kreu i qeverisë Edi Rama nëpërmjet një videoje të publikuar në facebook, u shpreh se nga sot ka nisur aksioni i IKMT në terren për heqjen e objekteve të bizneseve të cilat nuk respektojnë distancën prej 20 metrash largësi nga akset kombëtare.

“Dje ka skaduar afati për tërheqjen e gjithë llojeve të rraqeve buzë rrugëve kombëtare dhe nga sot do të fillojë hap pas hapi ndërhyrja e forcave përkatëse në territor. Ambicia jonë është të jemi kampionë të Ballkanit në turizëm”- tha Rama.

Përsa i takon aksionit të nisur për pastrimin e hapësirave publike, kryeministri iu përgjigj edhe kritikëve që pyesin përse u kujtua për diçka të tillë pas 12 viteve në qeveri.

“Ky nuk është një aksion, por përpjekje e pandalshme për një mënyrë të re të të qëndruarit së bashku. Ka disa që thonë përse u kujtua tani. Unë nuk jam kujtuar tani, por që ditën e parë që kam marrë votën e parë për të drejtuar Tiranën. Madje jam kujtuar që ditën e parë që kam hyrë në një zyrë shteti si ministër i Kulturës kur mora disa fëmijë dhe pastrova e pikturova disa teneqe.  Jo vetëm që nuk jam kujtuar tani, por jam kujtuar me kohë. Por ama ky është një proces”- shtoi kreu i qeverisë.

Ai tha se qëllimi nuk është shkatërrimi i bizneseve, por sigurimi që hapësira publike e trotuareve të respektohet.

“Sot kuturu janë shtrirë ngrehina të përkohshme. Shoh disa që ankohen që jo po hoqët tendat e mbetën karriget. Duhet ta kuptoni se është Tiranë jo Tehran. Ne nuk kemi dalë për të shkatërruar bizneset, por për të vendosur kufirin, për të bërë të qartë që trotuari është i qytetarëve”- tha Rama. Versus.al

Poll