POLITIKË /

E ngarkuara me Punë e SHBA takon ministrat e rinj: Punojmë bashkë për dhënien e rezultateve

Në takim ishte e pranishme edhe zv.kryeministrja e re, Albana Koçiu.

Shkruar nga Versus
E ngarkuara me Punë e SHBA takon ministrat e rinj: Punojmë bashkë
Nancy VanHorn, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi

E dërguara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn është takuar së fundmi me ministrat e rinj të emëruar në qeveri nga kryeministri Edi Rama. Në njoftimin e ambasadës bëhet me dije se gjatë takimeve, VanHorn ritheksoi përkushtimin për zbatimin e agjendës së Trump, eleminimin e plotë të karteleve të krimit të organizuar dhe respektimi për shpenzimet në fushën e mbrojtjes si anëtar i NATO-s.

“Gjatë javëve të fundit, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn zhvilloi takime me ministrat e emëruar së fundmi në detyra të reja; Zëvendëskryeministren Albana Koçiu, Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, Ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi, Ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, si dhe Ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili. Znj. VanHorn ritheksoi përkushtimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në zbatimin e agjendës së Shtëpisë së Bardhë të Trump: eliminimin e plotë të karteleve të krimit të organizuar, bindjen e aleatëve të NATO-s për të respektuar angazhimin e tyre të Hagës për shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe marrëveshje të drejta për kompanitë amerikane që bëjnë biznes në Shqipëri. Ne vazhdojmë të punojmë me partnerë në të gjitha ministritë dhe institucionet që ndajnë angazhimin tonë për dhënien e rezultateve si për amerikanët, ashtu edhe për shqiptarët”- shkruhet në njoftimin e ambasadës. Versus.al

Poll