
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale për fitoren e kandidatëve socialistë në 5 bashkitë ku u zhvilluan dje zgjedhjet e pjesshme. Duke uruar kandidatët fitues, Rama veçoi Beratin ku Ervin Ceca fitoi me mbi 83% të votave.
Lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje, Rama e ka gjetur shkakun tek moti me shi gjatë ditës së djeshme dhe dobësia e opozitës.
“5 bashki, 5 fitore dhe 5 arsye më shumë për t’i falenderuar qytetarët për besimin e tyre, pavarësisht dobësisë ekstreme të opozitës, motit me shi të ditës se djeshme, apo vetë natyrës së zgjedhjeve të pjesshme, të cilat nuk se e stimulojnë pjesëmarrjen.
Urime kryebashkiakëve të rinj, nga Bruna, gruaja e parë që do të drejtojë bashkinë e Vlorës;
Ervini i dytë i Beratit, i cili me mbi 83% të votave dhe 13 049 vota nga 15 454 të PS në 11 maj për bashkinë Berat, ka arritur një rezultat mbresëlënës;
Florenci në Cërrik, Gramozi në Tepelenë dhe Altini në Mat, që të tre me rezultate kuptimplota, të cilat janë një themel i fortë i punës që do të pasojë në shërbim të atyre komuniteteve”- shkruan Rama.
Këto zgjedhje ishin të pazakonta për vetë periudhën në të cilën u zhvilluan dhe fushatën zgjedhore e cila ishte thuajse "inekzistente" dhe pa entuziazëm. Opozita nga anatjetër la fushë të lirë për kandidatët e pavarur duke mos zgjedhur të kandidonte me figura politike përballë socialistëve. Versus.al

