
Aktori Florjan Binaj, një nga qëndrestarët e protestës qytetare që vijon prej 50 ditësh në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të mbledhjes së ashtuquajtur "Kuvendi Qytetar", duke theksuar se nuk e konsideron atë përfaqësues të protestës.
“Unë jo vetëm që s'isha i pranishëm, por nuk kisha dijeni fare që ka krijuar një kuvend. Absolutisht nuk isha informuar. Dje pashë ato pamjet të disa njerëzve që mu duk diçka e stisur, me thënë të drejtën. Mu duk diçka jo shumë përfaqësuese, sepse mendoj që në qoftë se do duhet të bëhet, duhen pyetur ata njerëzit atje në shesh, të gjithë njerëzit atje në shesh. Vetëm Armir Shkurtin njoha, arrita të dalloj aty dhe zotin Sazan Guri. Pjesën tjetër nuk i njihja fare, nuk i kam parë”, u shpreh Binaj për A2.
Ai tha se, sipas tij, ka një përpjekje nga politika për ta përçarë protestën nga brenda, pasi metodat e mëparshme për ta dobësuar nuk kanë funksionuar.
“Përpjekja është nga politika pasi i harxhuan të gjithë fishekët e mundshëm me të cilët kanë vrarë çdo protestë që ka qenë më përpara, qoftë e studentëve, qoftë e çmimeve. Sot ato nuk funksionojnë më, sepse njerëzit e kanë kuptuar kush punon për kë. Tani po përpiqen ta çajnë nga brenda, duke futur elementë radikalë, problematikë dhe provokatorë. Madje prisnim që kjo të ndodhte dhe ka ardhur edhe vonë. Mund të krijojnë dy, tre apo pesë kuvende paralele vetëm që njerëzit të mos dinë ku ta gjejnë veten dhe në fund të zhbëjnë protestën”, deklaroi ai.
Sipas Binajt, mungesa e një drejtuesi të vetëm është arsyeja pse protesta ka arritur të mbijetojë për kaq gjatë.
“Protesta është një trup që merr frymë, fryhet dhe shfryhet, sepse përbëhet nga njerëzit. Unë besoj se qëndrimi në shesh është një përjetim që nuk vjen nëpërmjet ekranit. Protesta nuk ka kokë dhe në qoftë se unë jam këtu, unë përfaqësoj veten time. Unë e kam vënë gjithë peshën time artistike në favor të protestës, sepse mendoj që këto kërkesa janë të drejta. Ne nuk kemi përfaqësi dhe ky ka qenë edhe suksesi i jetëgjatësisë së kësaj proteste”, theksoi ai.
Në fund, Binaj vlerësoi se një nga arritjet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje është ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe fakti që problematikat e ngritura në protestë, veçanërisht ato që lidhen me mbrojtjen e natyrës dhe zonave të mbrojtura, kanë marrë jehonë edhe në arenën ndërkombëtare.

