Fredi Beleri vijon betejën për mandatin e kryetarit të Bashkisë Himarë. Ai ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili në korrik 2024 i ndërpreu mandatin për shkak të pamundësisë për ta ushtruar atë.
Në padi, Beleri argumenton se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm, pasi ai ka fituar zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, por nuk ka mundur ta ushtrojë detyrën për shkak të arrestimit dhe paraburgimit për akuzën e korrupsionit zgjedhor.
Ai dhe subjekti politik që përfaqëson, PBDNJ, pretendojnë se ndërprerja e mandatit është bërë në shkelje të procedurave ligjore, pa një vendim gjyqësor të formës së prerë apo pa vendimmarrje nga Këshilli i Ministrave, siç parashikohet nga Kodi Zgjedhor.
Në padinë e dorëzuar, Beleri kërkon anulimin e vendimit të KQZ-së dhe njohjen e tij si kryetar legjitim i Bashkisë Himarë, pavarësisht faktit që tashmë është zgjedhur eurodeputet në Greqi, nën siglën e partisë Demokracia e Re të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Zgjedhja e Belerit në Himarë në vitin 2023 u shoqërua me debate të forta politike dhe tension diplomatik, pasi ai u arrestua pak ditë para votimeve dhe më pas u dënua për korrupsion në zgjedhje, ndonëse rezultoi fitues.







