Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin e deputetit Flamur Noka me 20 ditë dhe të deputetes Elda Hoti me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, pas incidenteve të ndodhura në seancën e fundit plenare.
Vendimi vjen pas përplasjeve të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku Noka qëlloi me shishe drejt kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, duke e kërcënuar me fjalë të rënda.
Ndërkohë, Elda Hoti i mori kartën e deputetes Bora Muzhaqi për t’i ndërprerë fjalën, në një moment kur opozita kishte bllokuar foltoren.
Pavarësisht tensioneve, për Ballën dhe Albana Vokshi, e cila pati një përplasje verbale me Muzhaqin, nuk janë marrë masa disiplinore.
Ngjarja ndodhi pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kërkoi ndërprerjen e seancës për 5 minuta, moment në të cilin situata degradoi në përplasje fizike dhe verbale. Debati kishte nisur më herët, kur Balla kërkoi një minutë heshtje për ngjarjen e 2 prillit, gjë që u kundërshtua nga opozita.
Vetëm një ditë pas incidentit, Partia Socialiste kërkoi përjashtimin e Nokës me 60 ditë dhe të Vokshit e Hotit me nga 30 ditë, ndërsa Partia Demokratike kërkoi përjashtimin e Ballës me 60 ditë.
Seanca u shoqërua me tone të ashpra dhe përplasje verbale mes deputetëve, duke reflektuar tensionet e vazhdueshme politike në Kuvend./Versus.al

