''Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat'' shkroi dje në statusin e tij Adriatik Lapaj teksa Zeqir Kordhoni në një letër drejtuar KQZ-së, si pjesë e listës së mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” ka kërkuar që, në rast shpalljeje si fitues, të ushtrojë mandatin e deputetit.
Dhe siç duket lufta mes dy forcave politike për një mandat po vazhdon pasi Kleana Xhuveli, kandidate e Lapajt në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë në Tiranë, e cila është renditur para Zeqir Kordhonit, ka vendosur të tërhiqet nga vendimi i mëparshëm i dorëheqjes.
Ajo ishte e treta në listën e mbyllur të kandidatëve për qarkun e Tiranës, teksa më parë kishte kërkuar të tërhiqej.
Me anë të një letre, ajo ka treguar se cilat janë arsyet që e shtynë të ndryshojë mendje.
“Ky vendim vjen pas një rishqyrtimi të plotë të rrethanave dhe një konsultimi të gjerë me mbështetësit, familjen dhe strukturat e angazhimit tim politik. Kam bindjen se mund të vazhdoj angazhimin tim publik me përkushtim dhe përgjegjësi të plotë.” shkruan në letrën e drejtuar KQZ-së Xhuveli./Versus.al







