Në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm, Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës do të mblidhet për të caktuar rendin e ditës për mbledhjen që do të zhvillohet më tej në këshillin bashkiak ku do të votohet pro ose kundër shkarkimit të Veliajt.
Më pas në orën 16:00 do të mblidhet këshilli bashkiak për të shqyrtuar kërkesën e socialistëve për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut me argumentin se nuk është paraqitur në punë për mbi 3 muaj siç e parashikon ligji.
Veliaj i cili mbahet në paraburgim prej 10 shkurtit të këtij viti, i kërkoi këshillit që të ishte i pranishëm në mbledhje dhe t’i dëgjoheshin pretendimet e tij. Por një kërkesë e tillë, iu hodh poshtë pasi në dokumentin e këshillit bashkiak me firmë të sekretarit Behar Zeneli thuhej se Veliaj mund të paraqiste me shkrim pretendimet e tij për mbledhjen. Nuk vonoi shumë as reagimi i Veliajt i cili tha se nuk ishte njoftuar zyrtarisht mbi datën apo përmbajtjen e diskutimeve të mbledhjes, ndërsa i kërkoi sekretarit të këshillit që të mos merrte kompetenca të organit kolegjial.
Teksa socialistët janë të vendosur për ta shkarkuar Veliajn, PD nga ana tjetër ka deklaruar se do të votojë pro shkarkimit, por kishte kërkuar që kryebashkiaku të ishte i pranishëm në mbledhje dhe të jepte pretendimet e tij. Gjatë një konference për mediat kryedemokrati Sali Berisha tha se Rama u frikësohej gjërave që mund të thoshte Veliaj, ndaj nuk ka lejuar të jetë i pranishëm.
Firma e fundit pas votimit në këshill, i mbetet këshillit të ministrave që miraton shkarkimin e Veliajt. Ndërsa avokatët e kryebashkiakut pritet ta çojnë çështjen ne Gjykatën Kushtetuese. Versus.al







