Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference për mediat, u shpreh i bindur se kjo e sotmja ishte e fundit e tij si kryetar opozite duke pretenduar se pas 11 majit, PD do jetë mazhorancë. Sipas tij, këtë gjë e ka kuptuar edhe vetë kryeministri Edi Rama duke gjykuar sjelljet që ka bërë së fundmi.
Teksa theksoi edhe faktin se si mjek e ka tërhequr edhe studimi i psikiatrisë, Berisha tha se mbrëmjen e djeshme, Rama në bazë të sjelljeve të tij tregoi se kishte nevojë emergjente për mjekim.
"Unë mendoj se e keni të drejtë, shumë të drejtë, kjo do të jetë konferenca e ime e fundit si kryetar opozite, mbasi pas datës 12 maj kjo opozitë, bëhet mazhorancë e Shqipërisë. E keni ndjerë dhe ju dhe e ka ndjerë çdo shqiptar këtë. Kjo është ndjesia më reale. Por në mënyrën më të frikshme e ka ndjerë Edi Rama.
Ju e patë si shkallmoi mbrëmë në televizion, u shkallmua. Fliste për gijotina, fliste për helme. Çfarë nuk fliste. Dmth, ai mbrëmë kishte nevojë urgjente për mjekim, me ato simptoma që pashë dhe unë jam mjek dhe kam qenë i apasionuar. Unë jam kardiolog, por më tërhiqte dhe psikiatria, më ka tërhequr”- deklaroi Berisha.
Mbrëmjen e sotme në orën 19:00, PD mbledh mbështetësit në Bulevardin e Ri për të mbyllur fushatën elektorale të 11 majit. Versus.al








