POLITIKË /

Komisionerja evropiane Marta Kos përgëzon Shqipërinë për progresin drejt BE-së: Ka bërë progres të jashtëzakonshëm!

Komisionerja theksoi ritmin e shpejtë të Shqipërisë në hapjen e grup-kapitujve dhe progresin e bërë në reforma

Shkruar nga Versus
Komisionerja evropiane Marta Kos përgëzon Shqipërinë
Marta Kos

Komisionerja evropiane për Zgjerim dhe Zhvillim, Marta Kos, para Komisionit të Jashtëm, prezantoi raportet e progresit të vendeve kandidate dhe përgëzoi vendet e Ballkanit Perëndimor për përparimin e tyre në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Mes vendeve me progres më të shpejtë, Kos përmendi Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, ndërsa veçoi Malin e Zi si vendin më të përgatitur për procesin e zgjerimit në rajon.

Komisionerja theksoi ritmin e shpejtë të Shqipërisë në hapjen e grup-kapitujve dhe progresin e bërë në reforma:

“Viti 2025 ishte i suksesshëm për vendet kandidate. Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina kanë bërë hapa domethënës në reformat e tyre. Shqipëria ka shënuar progres të paprecedentë që nga konferenca ndërqeveritare e tetorit 2024, me katër grup-kapituj të hapur dhe grupin e fundit që do të hapet në nëntor. Ky është një tregues i qartë i angazhimit politik dhe aspiratave të shoqërisë shqiptare, ku 91% e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në BE.”

Kos shtoi se zgjerimi i suksesshëm i Bashkimit Evropian mbetet një mundësi reale për vitet në vijim, duke u fokusuar te ambiciet e vendeve kandidate më shumë sesa datat e sakta të përfundimit të negociatave:

“Mali i Zi synon të përfundojë negociatat në fund të 2026-s, Shqipëria në fund të 2027-s, ndërsa Moldavia dhe Ukraina në vitin 2028. Komisioni mbështet këto ambicie dhe vendet kanë arritur rezultate konkrete që i justifikojnë.”

Komisionerja Kos gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet kandidate për zhvillimin e vlerave europiane dhe sigurimin e paqes dhe prosperitetit në kontinent.

Fjala e Marta Kos para Komisionit të Jashtëm:

Ne evropianët sot duhet të bëjmë më shumë që të marrim në kontroll kontinentin tonë, të zhvillojmë vlerat tona dhe të mbrojmë sigurinë tonë. Kjo mund të jetë e suksesshme vetëm duke punuar dorë për dore me fqinjët tanë, sidomos vendet kandidate. Vetëm kur të bëjmë të plotë unifikimin e Evropës mund të sigurojmë paqe dhe prosperitet.

Viti 2025 ishte një vit i mirë me vendet kandidate. Progres shumë domethënës janë bërë nga vende si Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Kjo tregon se reformat gjithmonë të shpërblejnë.

Ne kemi implementuar një integrim gradual me vendet e Ballkanit Perëndimor, me investime dhe ndarje vlerash dhe një rol më të madh përpara se ata të plotësojnë të gjitha kriteret. SEPA dhe Roaming janë disa prej fushave ku disa vende janë bërë anëtare.

Zgjerimi i suksesshëm është mundësi realiste për vitet në vijim. Mali i Zi kërkon të përfundojë negociatat në fund të 2026-s dhe Shqipëria synon në fund të vitit 2027. Moldavia dhe Ukraina në vitin 2028. Për mua ambiciet janë më të rëndësishme se vitet apo datat dhe Komisioni i mbështet këto ambicie. Këto 4 kandidatë për vitin që po lëmë pas i kanë justifikuar ato ambicie me arritje dhe aksione konkrete.

Mali i Zi më i avancuari, dhe më i përgatituri drejt zgjerimit.

Shqipëria ka bërë progres të paprecedentë që prej konferencës ndërqeveritare në tetor 2024. Katër grupkapitujt të tjerë janë hapur dhe në nëntor hapim grupkapitullin e fundit. Kjo është një njohje e angazhimit të qartë politik të Shqipërisë dhe e aspiratave të qartë të shoqërisë shqiptare, 91% e qytetarëve e duan anëtarësimin në BE. Shqipëria ka bërë progres në reformat mbi kapitujt themelorë dhe në fund të vitit do të ketë gati përfundimet e ndërmjetme./Versus.al

Tags:

marta kos

Poll