
Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës, duke u mbështetur në ligjin "Për vetëqeverisjen vendore".
Kërkesa është dorëzuar këtë të premte (9 maj) nga kryetari i grupit të Këshilltarëve të PD, Ilir Alimehmeti, dhe nënkryetarja e grupit, Ilda Zhulali, drejtuar kryetares së Këshillit Bashkiak, Romina Kuko, dhe sekretarit të Këshillit, Behar Zeneli. Po ashtu, janë vënë në dijeni edhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, dhe Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro.
PD kërkon që Këshilli Bashkiak të mblidhet më 12 maj dhe të shqyrtojë shkarkimin e Veliajt, pasi ai ka kaluar afatin 3-mujor të mosparaqitjes së pandërprerë në detyrë.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt nga Strukturat e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi ndaj tij rëndojnë akuza të rënda për korrupsion.
Sipas SPAK, Veliaj dhe bashkëshortja e tij dyshohet se kanë krijuar një skemë të përfitimit të ryshfeteve përmes organizatave jo-fitimprurëse (OJF), për të pasuruar veten.
Dyshohet se kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste, ndërkohë që Veliaj akuzohet për përfitimin e vilës në Qerret.
Bashkëshortja e tij, Xoxa, akuzohet për shpenzime të jashtëzakonshme, rreth 890 mijë euro, në blerje veshjesh dhe bizhushësh online.
Pas arrestimit, Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa është lënë në masën "detyrim paraqitje". Për gjashtë biznesmenët e dyshuar që kanë bashkëpunuar me të, është vendosur masa e "arrestit shtëpiak" dhe "detyrimi për t'u paraqitur"./Versus.al








