Procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në qarkun Durrës po zhvillohet gjatë ditës së sotme dhe sipas anëtarit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Ledio Braho, pritet të përfundojë brenda ditës.
“Besoj se ditën e sotme përfundojmë me rinumërimin e qarkut të Durrësit. Ditën e hënë kemi planifikuar katër seanca për katër qarqet e fundit,” deklaroi Braho në një intervistë televizive.
Sa i përket ecurisë së certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit, Braho tha se kjo pritet të ndodhë brenda fundit të muajit korrik, për aq kohë sa nuk do të konstatohet pavlefshmëri në ndonjë prej qarqeve që janë ende në shqyrtim.
“Nëse gjithçka ecën sipas procedurave dhe nuk kemi vendime për pavlefshmëri, certifikimi mund të ndodhë deri në fund të korrikut,” shtoi ai. /Versus.al







