
Kuvendi i Kosovës po zhvillon sot një seancë të jashtëzakonshme me një pikë të vetme në rendin e ditës votimin e qeverisë së re të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti.
Për të siguruar miratimin e kabinetit të ri qeveritar, Vetëvendosjes i duhen së paku 61 vota, ndërsa aktualisht i mungojnë rreth 5 për të arritur shumicën e nevojshme. Votimi i sotëm pritet të jetë vendimtar për të ardhmen politike të vendit, ndërsa tensionet mes pozitës dhe opozitës janë të dukshme.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur skeptik për suksesin e Kurtit, duke thënë se seanca e sotme do të përfundojë me dështim.
“Po shihet që epilogu i ditës sotme do të jetë dështim. Zgjidhja e vetme me sa kuptojë mbetën zgjedhjet sepse nuk ka ndonjë ofertë,” tha Haradinaj nga holli i Kuvendit.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili theksoi se qëndrimet e partisë së tij janë publike dhe nuk kanë ndryshuar, duke nënkuptuar se nuk do ta votojnë Qeverinë Kurti III. “Qëndrimet i kemi publike, jo nuk na kanë kontaktuar,” tha Limaj.
Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, u shpreh pesimist për formimin e qeverisë, duke paralajmëruar se mund të tentohet një votim i fshehtë.
“Nuk jemi përballë një qeverie programore që e kërkon Kosova, por të pazareve. Nëse kanë arritur gjatë natës marrëveshje individuale, mbetet të shihet. Mesa kam informacione, do të tentohet një votim i fshehtë për shkak të ndonjë kontrabande individuale të deputetëve,” deklaroi ai.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha para mediave se është i bindur që Kurti nuk i ka votat për ta kaluar qeverinë. Ai shtoi se pas dështimit të mundshëm, të gjithë duhet të respektojnë procedurat, ndërsa mundësia që PDK të tentojë të formojë qeverinë do të diskutohet më pas.

Në kampin e mazhorancës, optimizmi është i dukshëm. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë hyrjes në Kuvend tha shkurt: “Për hajër ju koftë Kurti 3”, duke lënë të kuptohet se Vetëvendosje beson se i ka siguruar numrat për votim.
Edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, paralajmëroi pasojat e mosvotimit të qeverisë, duke theksuar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Nëse sot nuk votohet Qeveria, vendi do të shkojë në zgjedhje dhe do të rrezikohen shumë procese,” shkroi ai në Facebook.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh se Kurti ka gabuar që ka pritur ditën e fundit për të kërkuar marrëveshje me partitë e tjera. “Një njeri që del i pari në zgjedhje do të duhej të bënte përpjekje me të gjitha partitë, jo ta linte ditën e fundit. Punët e mira nuk lihen ditën e fundit. Sot do të bie perdja e mashtrimit të madh 8-mujor,” deklaroi Abdixhiku.
Në përfundim, seanca e sotme në Kuvendin e Kosovës pritet të përcaktojë nëse Albin Kurti do të arrijë të formojë Qeverinë “Kurti 3” apo nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
