Në shtator Kuvendi do të hapë dyert, ndoshta për t’i dhënë mirëseardhje ideve të reja, përballjeve parimore, apo ndonjë shenje normale politike. Megjithatë ashtu siç hynë figura të reja, ndoshta disa figura edhe do u mungojnë.
Ata që mezi prisnin t’i linin foltoret, që prej muajsh kanë qenë më aktivë në rrjetet sociale sesa në sallën plenare, tani kthehen për një përshëndetje të fundit. Një “lamtumirë” që vjen më shumë nga fati elektoral se nga dëshira personale. Në këtë rreshtim të fundit, mungon edhe Lulzim Basha, ndoshta më famozi i këtyre zgjedhjeve në rrjete sociale, pas Zegjinesë, patjetër. Dikur kandidati për gjithçka, sot as deputet. U kthye me flamuj euroatlantikë, por u përmbys nga një realitet krejt ballkanik. Madje iku edhe me ‘pengun’ që Rama nuk i tha kurrë se ku i kishte shokët.
Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili, ndërkohë, kanë bërë një akt ndoshta më fisnik: janë larguar me vullnet të lirë. Një lëvizje disi e papritur së paku nga krahu i Kryemadhit e cila që prej vitit 91’ nuk ka qëndruar duarkryq. Madje nuk zgjodhi të qëndronte as si Zonjë e Parë kur Ilir Meta u bë president, por preferoi të jetë qënderstare në Partinë e Lirisë, asokohe LSI-ja. Një nga zërat më të fortë në disa legjislacione, e që ndoshta nga të paktët që do i mungojë Kuvendit.
Në kampin e socialistëve, po bëhet një pastrim i heshtur. Nuk është se ikën se nuk u deshën, por se partia vendosi të “rinohet”, e nuk e dimë nëse prurjet do të mendojnë e të flasin, në vend që vetëm dëgjojnë. Për t'u parë dhe kjo...
Majko largohet, bashkë me një listë emrash që kanë qenë aty sa për statistikë. A do të na mungojnë? Jo. Po ata e dinë këtë? As ata vetë nuk janë të sigurt.
Politika shqiptare, gjithsesi, i duron mirë këto inskenime – kemi parë figura që thonë “jam lodhur” dhe pas ca kohësh rikthehen me më shumë lodhje se më parë, si Berisha.
Por ky parlament nuk po zbrazet thjesht nga emrat. Po zbrazet nga kuptimi. Një “seancë e fundit” që më shumë sesa politikë, ngjan me një shfaqje teatrale ku aktorët nuk e dinë që publiku ka ikur me kohë. Dhe megjithatë, ata do të flasin, do të replikojnë, do të bëjnë teatër edhe një herë, se fundja, ashtu i duan të largohen: duke folur, jo duke reflektuar.
Ndaj, le t’i përcjellim me duartrokitjen më të sinqertë që ky vend di të japë: heshtjen totale. Dhe të lutemi që sezoni i ri të mos jetë si “sezonet e mëparshme”, ku personazhet ikin, por skenari mbetet po ai.
Disa prej të rinjve që pritet të hyjnë në polikë janë si më poshtë:
1. Zegjine Çaushi
2. Sara Mile
3. Besart Xhaferri
4. Redi Muçi
5. Erald Kapri
6. Agron Malaj
7. Murat Dani
8. Daniel Gjura
9. Gjin Gjoni (ish gjyqtar)
10. Kastriot Piroli
11. Aleksandër Lala
12. Arjan Ndoja (nga ish prokuror ulet për herë të parë në parlamentin shqiptar).
13. Sajmir Haslla
14. Olsi Komiqi
15. Hysen Buzala
16. Iris Luarsi *listë e mbyllur
17. Fadil Nasufi
18. Marjana Koçeku *listë e mbyllur
19. Ardit Bido *listë e mbyllur
20. Ceno Klosi Versus.al







