
Koalicioni parazgjedhor mes Nismës Thurje dhe “Lëvizja Shqipëria Bëhet” mesa duket mund të çojë në bashkimin e dy partive politike në një. Këtë e konfirmoi pak ditë më parë kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj i cili tha se ishte i gatshëm për mundësinë e shkrirjes së dy forcave në një të vetme.
“Para zgjedhjeve ka pasur një qasje që mund të ndodhë edhe një kohezion, një shkrirje në një. Ngelet për t’u diskutuar, unë jam i hapur për të gjitha variantet”- deklaroi Lapaj në A2CNN.
Në të njëjtin vend, iu përgjigj edhe kreu i Nismës Thurje Endri Shabani i cili ka mohuar që të ketë diskutuar diçka të tillë, por theksoi se Lapaj është i mirëpritur të rikthehet tek “Nisma Thurje” aty ku edhe e ka nisur aktivitetin politik.
“Nisma Thurje ka qenë një organizatë e shoqërisë civile, që e kemi nisur bashkë me zotin Lapaj dhe aktorë të tjerë. Në 2021 ne u themeluam si parti dhe synojmë që të vijojmë si parti politike. Por, padyshim Adriatiku është i lirë në çdo kohë që të rikthehet te Nisma Thurje sepse në fund të fundit kjo është shtëpia e vet”, deklaroi Shabani.
Ai shtoi më tej se koalicioni parazgjedhor me Shqipëria Bëhet synonte bashkëpunim afatgjatë dhe se do të kenë bashkëpunim edhe në zgjedhjet e ardhshme.
“Koalicioni është ndërtuar për të qenë afatgjatë, por marrëveshja ka qenë deri në 11 maj dhe jemi duke u përpjekur që ta vazhdojmë bashkëpunimin mes Nismës Thurje, Shqipëria Bëhet dhe aktorëve të tjerë për zgjedhjet e ardhshme”.
Sa i takon mandatit të fituar në Tiranë, Shabani tha se kjo çështje zgjidhet nga KQZ pasi të bëjë verifikimin e listave të kandidatëve të listës së mbyllur të cilët sipas marrëveshjes duhet të dorëzojnë mandatin. Versus.al







