POLITIKË /

Lirimi i hapësirave publike/ Zv.kryeministrja Balluku: Nuk është një aksion kundër tendave, është një reformë e thellë!

Ashtu siç ishte lajmëruar më herët edhe nga kryeministri Edi Rama, dje ishte afati i fundit për largimin në mënyrë vullnetare nga hapësirat publike pranë akseve kombëtare. Balluku bëri me dije se ‘nga ky moment IKMT, mbështetur nga Policia e Shtetit, do të ndërmarrë masa konkrete për respektimin e distancave nga akset kombëtare’.

Shkruar nga Versus
Lirimi i hapësirave publike/ Zv.kryeministrja Balluku: Nuk është
Belinda Balluku

Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me aksionin për lirimin e hapësirave publike.

Ashtu siç ishte lajmëruar më herët edhe nga kryeministri Edi Rama, dje ishte afati i fundit për largimin në mënyrë vullnetare nga hapësirat publike pranë akseve kombëtare.

Balluku bëri me dije se ‘nga ky moment IKMT, mbështetur nga Policia e Shtetit, do të ndërmarrë masa konkrete për respektimin e distancave nga akset kombëtare’.

Më tej ajo shtoi se kjo është një reformë e thellë për lirimin e hapësirave publike dhe respektimin e rregullave dhe ligjeve të mbrojtjes së territorit në Republikën e Shqipërisë

“Dje, në 31 korrik, ka qenë afati i fundit për lirimin e hapësirave pranë akseve kombëtare, duke respektuar distancat e përcaktuara në ligj. Një fushatë këshillimor është kryer nga ARRSH dhe IKMT për 8 ditë, duke pasur edhe raste konkrete të bashkëpunimit të subjekteve me trupat tona në terren. Mjafton t’ju tregoj një rast në aksin rrugor Kombinat-Plepa, ku subjekti ka ndërmarrë tërheqjen dhe respektimin e distancës nga trupi i aksit kombëtar, si dhe sistemimin estetik të zonës ku operon. Ky është një shembull i mirë për t’u ndjekur kudo.

Gjithashtu, gjej rastin të përgëzoj të gjithë ato subjekte që operojnë në aksin nga Gjirokastra në Levan, pasi kam qenë së bashku për një inspektim atje me inxhinierët e ARRSH-së dhe inspektorët e IKMT-së dhe nuk kemi evidentuar asnjë shkelje në këtë territor.

Bëjmë me dije se nga ky moment IKMT, mbështetur nga Policia e Shtetit, do të ndërmarrë masa konkrete për respektimin e distancave nga akset kombëtare.

Çka po ndodh sot në territorin e Shqipërisë, nuk është një aksion kundër tendave, ashtu siç thuhet, është një reformë e thellë për lirimin e hapësirave publike dhe respektimin e rregullave dhe ligjeve të mbrojtjes së territorit në Republikën e Shqipërisë. Është një reformë që nuk lë jashtë vëmendjes as tendat, as oborret e përbashkëta të pallateve të zaptuara e të kthyera në parkingje dhe as TEC-et e ndërtuara në mënyrë të paligjshme në territoret e vendburimeve shqiptare, pavarësisht mohimit qesharak të ekzistencës së tyre apo mbrojtjes akoma më qesharake nga segmente të paguara për të goditur të mirën publike.

Falënderoj qytetarët për këtë bashkëpunim të shkëlqyer gjatë gjithë kësaj periudhe dhe i inkurajojmë ata të vijojnë denoncimet. Madje, në vazhdim edhe përmes një platforme të dedikuar, platforma ‘Hapësira ime’ që është njoftuar nga Kryeministri, Edi Rama.

Ju uroj një verë të qetë e pushimet mbara dhe ju sigurojmë se të gjitha institucionet janë në krye të detyrës në çdo skaj të vendit për të garantuar cilësisht shërbime më të mira për qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e shumë të huaj që ndodhen këtë sezon në vendin tonë”, u shpreh Balluku. /Versus.al

Poll