
Gjyqtari Hazbi Balliu është bërë sot objekt i kritikave nga kryeministri Edi Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e akuzon gjyqtarin se ka marrë një vendim në favor të një ndërtuesi pa leje në Tiranë, duke pezulluar konfiskimin e një pallati që po ndërtohej në mënyrë të paligjshme. Sipas Ramës, pas konfiskimit ky pallat do të shndërrohej në zyrat e reja të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).
Kryeministri publikoi një pjesë nga vendimi i gjyqtarit si dhe pamje nga gjendja aktuale e zyrave të ASHK-së, ku tavani është rrëzuar, për të theksuar rëndësinë e objektit. Ai e quajti absurd argumentin e gjyqtarit, i cili justifikon pezullimin me arsyetimin se ASHK mund të ushtrojë aktivitetin e saj edhe në ambiente të tjera dhe se vendosja në atë godinë nuk është e domosdoshme.
Rama shtoi se ky vendim është shembull i sjelljeve që minojnë interesin publik, ndërsa akuzoi sistemin e drejtësisë për mungesë reagimi ndaj rasteve të tilla.
/Versus.al







