Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës ndërkombëtare me temë “Formësimi i të Ardhmes së Gotech” foli mbi digjitalizimin e shërbimeve të vendit. Por gjatë fjalës së tij deklaroi se vendi ynë ka lënë pas Gjermaninë dhe disa vende të tjera të BE sa i takon luftës së pastrimit të parave.
“Sot nuk është nevoja që të bëhemi si gjermanët që meqë ra fjala i kemi lënë mbrapa në një tjetër pikë ku na godasin rregullisht me shkopin e mësuesit. Në pastrimin e parave. Këtë nuk e them unë, por Indeksi i Bazelit. Janë 7 apo 8 vende të BE të cilat në këtë indeks janë prapa Shqipërisë për luftën kundër pastrimit të parave”- deklaroi Rama.
Ndër të tjera, ai bëri me dije se do të ketë një mekanizëm të ri të Inteligjencës Artificiale për të monitoruar investimet dhe për të arritur të gjurmojmë raste të pastrimit të parave.
“Por ne nuk jemi të kënaqur me këtë dhe i mirëpresim të gjitha goditjet dhe leksionet sepse duam të bëhemi shumë më të mirë dhe për këtë arsye me Inteligjencës Artificiale po përpiqemi të integrojmë në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model i cili praktikisht është një model që do çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës”- u shpreh kryeministri. Versus.al







