POLITIKË /

Manastirliu, e para ministre në detyrë që hetohet nga SPAK! A do të dorëhiqet apo shkarkohet pas precedentëve të mëparshëm në qeveri?

Për herë të parë që prej krijimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është marrë nën hetim një ministër në detyrë.

Shkruar nga B.V
Manastirliu, e para ministre në detyrë që hetohet nga SPAK! A do
Ministrja, Ogerta Manastirliu

Ogerta Manastirliu, aktualisht ministre e Arsimit dhe Sportit u mor zyrtarisht nën hetim sot nga SPAK, duke krijuar kështu precedentin e parë të marrjes nën hetim të një ministri në detyrë.

Kujtojmë se në rastet e tjera, zyrtarë të lartë të qeverisë socialiste, si Saimir Tahiri, Ilir Beqaj apo Arben Ahmetaj janë shkarkuar me vendim të Këshillit të  Ministrave përpara se SPAK të regjistronte procedim penal mbi shkeljet e kryera prej tyre.

Kjo është hera e parë që prej krijmit të strukturës së posaçme anti-korrupsion kur një ministër qeverie merret nën hetim ndërkohë që është në detyrë. Ndërkohë nuk ka asnjë reagim zyrtar nga vetë ministrja nëse do të japë dorëheqjen pasi u mor zyrtarisht nën hetim.

Manastirliu ka mbajtur postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që nga viti 2017 deri në 2023. Që prej shtatorit të vitit të kaluar, Manastirliu mori postin e ministres së Arsimit.

Me 6 vite si ministre e Shëndetësisë dhe më pas ministre e Arsimit, Ogerta Manastirliu është zyrtarja më jetëgjatë e kabinetit qeveritar të socialistëve në mandate të ndryshme. Ajo njihet si një ndër bashkëpunëtoret më të afërta të kryeministrit Edi Rama.

Ky i fundit, në daljet e tij për mediat pas hetimeve ndaj ish-zyrtarëve ka lënë të kuptohet se ngjarje të tilla nuk prekin pushtetin e qeverisë së tij dhe se çdokush duhet të mbajë përgjegjësi personale mbi shkeljet e kryera. Të njëjtin gjë e theksoi edhe në mbledhjen e zhvilluar në muajin Maj me deputetët dhe ministrat ku tha se nuk do të ndërhynte në asnjë lloj çështje për të cilën hetohen bashkëpunëtorë apo ish-bashkëpunëtorë të tij.

Në procedimin penal të regjistruar nga SPAK, Manastirliu po hetohet për shpërdorim detyre për tendera sekretë të bërë gjatë pandemisë së Covid-19. Denoncimin për shkeljet e pretenduara e bëri deputetja Albana Vokshi në 2020-ën ndërsa javë më parë dorëzoi edhe prova të reja mbi shkeljet e Manastirliut.

Precedentët e ish-zyrtarëve qeveritarë të marrë nën hetim nga SPAK

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shkarkua nga kryeministri Edi Rama më 17 mars të vitit 2017 ndërsa muaj më pas u mor nën hetim nga SPAK për t’u dënuar përfundimisht në shkurt të vitit 2022 me 3 vite e 4 muaj burg për “shpërdorim detyre”. Tahiri e kreu një pjesë të dënimit në burg ndërsa 1 vite e 7 muaj po i kryen aktualisht në arrest shtëpie. Shkak për këtë vendim u bë një ekspertizë që provoi se Tahiri vuante nga probleme shëndetësore me zemrën.

Ish-ministri i Financave, Rindërtimit, Energjisë dhe Infrastrukturës, Arben Ahmetaj u shkarkua në korrik të 2022-it edhe nga posti i zv.kryeministrit. Muaj më pas, në mars të vitit 2023, Ahmetaj u mor zyrtarisht nën hetim nga SPAK për 4 akuza “shpërdorim detyre”, “pastrim parash”, “fshehje e të ardhurave” dhe “korrupsion”. Në qershor të të njëjtit vit, SPAK dorëzoi në Kuvend kërkesën për arrestimin e tij duke qenë se Ahmetaj mbante ende mandatin e deputetit. Pasi u miratua, Ahmetaj u shpall në kërkim ndërkombëtar duke qenë se ishte arratisur nga vendi, duke aplikuar për azil politik në Zvicër, nga ku edhe shfaqet herë pas here me akuza ndaj qeverisë Rama.

Ish-ministri Ilir Beqaj, u shkarkua nga posti i drejtuesit të dikasterit të ministrisë së Shëndetësisë në vitin 2017. Gjatë gjithë periudhës pas shkarkimit të tij, pati akuza nga ana e opozitës se Beqaj kishte abuzuar me koncesionin e sterilizimit. Por marrja zyrtarisht nën hetim e tij u bë vetëm në dhjetor të vitit 2023 për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”. Atij iu caktua masa “detyrim paraqitje” ndërsa në mars të këtij viti, SPAK mbylli hetimet dhe çoi për gjykim hetimet për dosjen e “Sterilizimit”. Seanca paraprake në GJKKO për Beqajn është shtyrë dy herë për shkak të mungesës së avokatit të ish-ministrit.

Ish-ministrja Olta Xhaçka, u shkarkua nga posti si drejtuese e dikasterit të Diplomacisë në shtator të vitit të kaluar. Pavarësisht se ndaj saj nuk është regjistruar procedim penal, SPAK e ka marrë në pyetje për çështjen e abuzimit me pronat e ushtrisë në kohën kur ishte ministre e Mbrojtjes. Ndërsa në pyetje nga SPAK është marrë edhe bashkëshorti i Olta Xhaçkës, ish-deputeti Artan Gaçi i cili u paraqit në SPAK në maj të vitit 2024 ku dyshohet se është pyetur për tjetërsimin e pronave në bregdet pas shpalljes së tij investitor strategjik. Në mars, Kuvendi votoi kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të Olta Xhaçkës edhe pse “Kushtetuesja” ishte shprehur hapur se në kushtet ku ndodhej Xhaçka kishte shkelje në shpalljen e bashkëshortit të saj “investitor strategjik”.

Në të gjithë rastet e sipërpërmendura, kryeministri Edi Rama i ka paraprirë SPAK-ut duke i shkarkuar funksionarët e tij nga detyrat e larta që mbanin. Vetëm në rastin e Manastirliut, nuk u bë një gjë e tillë, duke krijuar një precedent ku për herë të parë një ministër në detyrë merret zyrtarisht nën hetim. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: