Në Këshillin e Mandateve diskutohet sot për mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj dhe raportet e dala prej PS dhe PD sa i takon kritereve që çështja të dërgohet për në Gjykatën Kushtetuese.
Shqyrtimi i mandati të Sinajt në komision nisi me kërkesë të PD pasi Bardhi pretendoi se kompanitë e deputetit kishin përfituar nga buxheti i shtetit, gjë që është e ndaluar me ligj. Në mbledhjen e sotme, Bardhi tha se të dy raportet rekomandojnë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
“Katër kriteret e vendosura nga GJK që cështja t’i kalojë asaj, janë të përmbushura. Kushtetuta detyron çdo deputet që kur përmbushen kriteret juridiko formale, çështja t’i dërgohet GJK. Për herë të parë ju thoni se përmbushen kriteret. Edhe raporti juaj edhe i joni përcakton që përmbushen të gjitha kriteret dhe nuk ka asnjë pengesë që çështja t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese. Pastaj nëse Edi Rama ju urdhëron që t’i jepni statusin “i paprekshëm” atëherë është raporti juaj me qytetarët. Për herë të parë edhe mazhoranca edhe opozita bien në konkluzion që mocioni është kushtetues’- tha Bardhi.
Sa i takon hedhjes për votim të mocionit në seancë plenare, socialistët argumentuan se nuk mund të bëhet në mbledhjen e parë të Kuvendit më 20 janar dhe propozuan seancën e parë plenare. Ndërsa Bardhi tha se mund të bëhet i mundur ndryshimi i rendit të ditës dhe kalimin e mocionit për të dërguar në Kushtetuese çështjen e mandatit të Sinajt.
“Në lidhje me datën për mocionin, do propozoja seancën e parë plenare dhe jo celjen e sesionit parlamentar. Në nisje të seancës kemi disa fjalime ceremonial dhe nuk janë bërë as raportimet e komisioneve”- argumentoi Klotilda Bushka.
“S’ka asnjë pengesë për të ndryshuar rendin e ditës dhe boll kemi pushuar nga dhjetori deri më 20 janar. Kështu që mocioni duhet të përfshihet në rendin e ditës”- u përgjigj Bardhi. Versus.al








