
Këshilli i Legjislacionit është mbledhur sot në seancën e radhës për të diskutuar mbi mocionin e deputetëve të PD të cilët kërkojnë heqjen e mandatit të deputetit Vullnet Sinajt nën pretendimin se bizneset e këtij të fundit, kanë përfituar fonde nga buxheti i shtetit në një kohë kur një gjë e tillë ndalohet me ligj.
Në fjalën e tij, deputeti Vullnet Sinaj bëri një “përmbledhje” të bamirësive të tij ndër vite, duke thënë se nuk ka pasur nevojë të marrë fonde nga buxheti i shtetit ai personalisht dhe kompania e tij kanë dhuruar nga 100 mijë euro gjatë periudhës së tërmetit.
Ai vijoi më pas edhe me ndihmën që sipas tij ka dhënë për persona me aftësi ndryshe, duke përmendur edhe raste kur i kishte shoqëruar këta të fundit deri në spital kur kanë pasur nevojë për vizita të ndryshme.
“Nuk kam shkuar ndonjëherë ta festoj vitin e ri me familjen time pa u siguruar se pakot ushqimore ishin ndarë për familjet në nevojë. Në zonën time nuk ka qytetarë që kanë probleme të pazgjidhura nga ana e deputetëve. Ka pasur një rast kur kam bërë vizitë në një familje me 3 fëmijë të vogël të cilët nuk kishin as shtëpi.
E financova vetë ndërtimin e shtëpisë së asaj familje. I them këto sepse hyra të shërbeja si deputet zonës dhe vendit tim me vullnetin më të plotë. E theksoj, nuk kam përfituar asgjë nga buxheti i shtetit. Edhe biznesi ku unë jam me kuota pasive, ka financuar buxhetin e shtetit në kohën e tërmetit. 100 mijë euro unë nga llogaria ime dhe 100 mijë euro nga 35 aksionerët e biznesit tim. Ata ndërtuan edhe sallë në repartin e kardiokirurgjisë. U kam dhënë ndihma fëmijëve shqiptarë dhe të Kosovës e Malit të Zi sepse nuk ka sallë të kardiokirurgjisë për fëmijët me vrimë në zemër.
Siç në këtë periudhën time të deputetit, kam takuar edhe njerëz me aftësi ndryshe të cilëve nuk u jam mjaftuar vetëm t’i dëgjoj por i kam marrë me makinën time duke i shoqëruar deri tek spitali kur kanë pasur nevoja për vizita. I kam ndihmuar me dokumente deri në fund, pa ndërhyrë te mjeku derisa të merrnin atë që u takon. Ju them se nuk kam asnjë kontakt me biznesin që nga maji i 2017-ës kur bëra delegimin e kuotave dhe bëra marrëveshje me ortakët që të mos kishim asnjë lloj marëdhënie me shtetin”- u shpreh Sinaj.
Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i quajti “përralla” pretendimet e Sinajt dhe shtoi se në rast se ky i fundit nuk është i fajshëm, nuk ka nevojë të ‘reklamojë’ veten por duhet të paraqesë dokumentet e nevojshme që rrëzon pretendimet në mocionin e deputetëve demokratë.
“Ky ka ardhur këtu për t’i bërë reklamë vetes dhe jo për të dhënë llogari. Kjo është prova më e qartë se mocioni ynë mbështetet në fakte sepse një deputet që nuk ka përfituar merret me fakte dhe jo të na thotë këtu paratë e shpërndara për të blerë vota sepse unë nuk e di që këto të jenë donacion. Është e paarsyeshme që kur kompania dhuron, deputeti i di të gjitha ndërsa kur kompania merr fonde nga buxheti i shtetit, nuk di gjë ky se ka caktuar personin e besuar. Përrallat që dëgjuam sot janë mungesë argumenti për të rrëzuar mocionin e deputetëve”- deklaroi Bardhi.
Mbledhja e këshillit të mandateve u ndërpre me kërkesë të Gazment Bardhit i cili u informua mbi ndarjen e papritur nga jeta të ish-deputetit të PD Gerti Bogdani i cili pësoi arrest kardiak. Versus.al








