
Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama njoftoi përbërjen e qeverisë së re. Ajo çfarë u vu re ishte “tensioni” që shoqëroi momentin kur Rama nisi të zbulonte emrat e ministrave të rinj. Shpejt u bënë virale në rrjet, momentet e reagimit të anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar me mimikat e fytyrës dhe gjestet e tyre.
Kushdo arriti ta dallonte edhe tensionin që karakterizonte Ogerta Manastirliun në momentin që Rama deklaroi se ajo do të jetë kandidatja e PS për të drejtuar bashkinë e Tiranës. Ekspertja e komunikimit joverbal, Irena Myzeqari tha në emisionin “Opinion” se gjatë gjithë mbledhjes, lëvizjet e socialistëve tregonin pozicionimin e Ramës si lider qëndror, ndërsa ministrat si satelitë të tij.
Besfort Lamallari kur dëgjoi emrin e tij për ministër të Drejtësisë u shfaq i surprizuar dhe i pasigurt duke u përpjekur të lironte kravatën që në ato momente dukej se e shtrëngonte. Ekspertja tha se Ogerta Manastirliu ishte në ankth, Elisa Spiropali e ngrirë, Ulsi Manja i trishtuar, ndërsa kryebashkiaku i Cërrikut Andis Salla dhe deputetja Klodiana Spahiu u befasuan për shkak të përgjegjësisë së madhe që i pret, konkretisht Sallën si ministër Bujqësie dhe Spahiun si zv.kryeparlamentare. Versus.al







