Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria synon të kthehet në një vend eksportues neto të energjisë brenda këtij mandati qeverisës.
Komentet ai i bëri gjatë ceremonisë për nënshkrimin e marrëveshjes mes SHBA-së, Shqipërisë dhe Greqisë në fushën e energjisë, ku theksoi transformimin e sektorit energjetik ndër vite.
Rama kujtoi se një dekadë më parë vendi përballej me probleme serioze në furnizimin me energji, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë nuk paguante faturat, duke rënduar sistemin. Ai shtoi se OSHEE ishte në prag falimentimi dhe mbështetej nga subvencionet qeveritare, me një nivel borxhi që kalonte mbi 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas tij, sot energjia është një element kyç për sigurinë kombëtare dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe për rolin që Shqipëria synon të luajë në rajon dhe në Evropë.
Kryeministri theksoi se një nga shtyllat kryesore për arritjen e këtij objektivi është partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara, i cili, sipas tij, mbështetet në angazhimin e përbashkët për forcimin e sigurisë energjetike.
“Ka qenë një moment në jetën tonë kur energjia ishte çështje furnizimi për të mbajtur dritat ndezur sa më gjatë të ishte e mundur në harkun e 24 orëve. Nga ana tjetër, jetonim në një vend ku deri një dekadë më parë gjysma e popullsisë paguante për gjysmën tjetër, ndërkohë që e gjithë pasuria e prodhuar nga sistemi ynë ishte në fakt e keqmenaxhuar dhe e vjedhur.
OSHEE deri një dekadë më parë ishte në buzë të falimentit dhe mbahej gjallë nga subvencionet qeveritare. Borxhi ishte më shumë se 5% e PBB-së.
Sot energjia përcakton sigurinë tonë, fuqinë tonë ekonomike dhe ambicien për vendin që zë në rajon dhe në Europë. Të arrijmë që brenda këtij mandati të shndërrohemi në një vend eksportues neto të energjisë.
Një element kyç i këtij rrugëtimi është partneriteti me SHBA, që mbështetet në zotimin e përbashkët ndaj sigurisë energjetike”, tha Rama./Versus.al


