
Në një fjalë të mbajtur sot në Tokio, në Universitetin e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Edi Rama deklaroi se pas miratimit të raportit IBAR, procesi i integrimit ndodhet në një tjetër fazë.
Rama nuk kurseu batutat kur tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe i Shqipërisë është një nevojë strategjike për vetë Europën.
Sipas kryeministrit Rama, “integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor dhe i Shqipërisë nuk është thjeshtë një kërkesë e jona, apo e rajonit, por nevojë strategjik edhe për vetë Europën.
Shqipëria ka dëshmuar që jo vetëm është partnere e qëndrueshme dhe e besueshme, por edhe që e do kaq shumë BE. Ne duam të martohemi, këmbëngulim dhe do të martohemi. Jemi të linjëzuar me politikën e jashtme të BE, aleat i përkushtuar i NATO”, tha Rama.
Duke folur për përshtypjet e tij nga vizita në Japoni, Rama tha se në Shqipëri kemi shumë diell në shtëpi, duke i ftuar të rinjtë ta vizitojnë vendin tonë.
“Më vjen keq që nuk ia dolëm të sillnim ca diell në Tokio, sepse kemi shumë diell në shtëpi, kështu që ejani ta shijoni.
Ndërsa ushqimi juaj nuk ka të dytë, po sërish ne kemi ushqimin më të mirë në Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht ambasadori e kupton, e di shumë mirë këtë edhe pse nuk do ta thotë me zë të lartë”, tha Rama.

