
Mes protestës së opozitës dhe ndërprerjes së përkohshme të seancës plenare, Kuvendi miratoi këtë të enjte raportin e ekspertëve për Reformën Territoriale, të hartuar nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm, Arbjan Mazniku.
Raporti kaloi vetëm me votat e mazhorancës, duke marrë 84 vota pro, ndërsa opozita kundërshtoi procesin dhe kërkoi shtyrjen me tre muaj të afatit të komisionit. Kërkesa e deputetëve të Partisë Demokratike u rrëzua nga shumica parlamentare.
Pas refuzimit të kërkesës, deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, duke shkaktuar tensione në sallë dhe duke detyruar drejtuesin e seancës të ndërpriste punimet për pesë minuta.
Me rinisjen e seancës, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi që Kuvendi të kalonte menjëherë në votimin e raportit, pa diskutime të mëtejshme. Drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, e hodhi në votim dokumentin, i cili u miratua me votat e deputetëve të mazhorancës.
Në seancën plenare ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa votimi u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, të shoqëruar me përplasje politike dhe protesta nga opozita./Versus.al

