Live Updates /

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës. Opozita bllokon foltoren, PS miraton e vetme projektligjet. 12 të shoqëruar në polici, 6 efektivë dhe 17 protestues të lënduar

*Seanca e sotme plenare e cila pritej të ishte e fundit për këtë sesion parlamentar, u karakterizua nga zhvillime të shumta brenda dhe jashtë sallës. *Ndërkohë jashtë Kuvendit, mijëra protestues u përplasën ashpër me policinë teksa qëndronin para godinës për të pritur deputetët që vinin. Ndaj disa prej deputetëve, të cilët nuk arritën t’u fshiheshin, protestuesit hodhën vezë. Aktualisht janë shoqëruar në polici 12 persona ndërsa janë plagosur 6 efektivë policie dhe 17 protestues. *Ligjvënësit vijuan debatet në Kuvend ku opozita bllokoi foltoren, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD hodhi ujë në drejtim të Ramës, cka solli dhe përjashtimin e tij. Në fund mazhoranca miratoi e vetme projektligjet e përfshira në rendin e ditës

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Seanca e sotme plenare e cila pritej të ishte e fundit për këtë sesion parlamentar, u karakterizua nga zhvillime të shumta brenda dhe jashtë sallës. *Ndërkohë jashtë Kuvendit, mijëra protestues u përplasën ashpër me policinë teksa qëndronin para godinës për të pritur deputetët që vinin. Ndaj disa prej deputetëve, të cilët nuk arritën t’u fshiheshin, protestuesit hodhën vezë. Aktualisht janë shoqëruar në polici 12 persona ndërsa janë plagosur 6 efektivë policie dhe 17 protestues. *Ligjvënësit vijuan debatet në Kuvend ku opozita bllokoi foltoren, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD hodhi ujë në drejtim të Ramës, cka solli dhe përjashtimin e tij. Në fund mazhoranca miratoi e vetme projektligjet e përfshira në rendin e ditës

21 Postime
2 ORE ME PARE

“O çuna merreni këtë”/ Ishte në një lidhje LIVE, policia jep urdhër për të arrestuar aktivistin

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Një incident u regjistrua gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte pranë Kuvendit, ku aktivisti Edison Lika u shoqërua nga efektivët e Policisë së Shtetit teksa ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë televizive për News24.

Në momentin e ndërhyrjes, Lika po raportonte mbi zhvillimet e protestës dhe po deklaronte se forcat e policisë kishin ushtruar forcë në mënyrë disproporcionale ndaj protestuesve.

Sipas pamjeve të transmetuara live, pranë tij kaluan efektivë të Njësisë Speciale "Shqiponja" dhe punonjës të Komisariatit Nr. 4. Aktivisti drejtoi kamerën në drejtim të tyre, ndërsa një prej efektivëve dëgjohet duke u thënë kolegëve: "O çuna, merreni këtë!"

Menjëherë pas kësaj, lidhja e drejtpërdrejtë u ndërpre dhe kamera u fik. Më pas, në rrjetet sociale dhe në media qarkulluan pamje që tregonin momentin kur Lika shoqërohej nga efektivët e policisë drejt ambienteve të Komisariatit Nr. 4.

Deri në këto momente, Policia e Shtetit nuk ka dhënë një reagim zyrtar mbi arsyet e shoqërimit të aktivistit, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta./Versus.al

2 ORE ME PARE

Mazhoranca miraton e vetme projektigjet, Rama lë Kuvendin. Deputetët e PD-së e gjuajnë sërish me sende

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar u mbyll me tensione të forta në Kuvend, përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe bojkotin e deputetëve të Partisë Demokratike.

Deputetët e opozitës bllokuan për disa orë foltoren e Kuvendit, duke kundërshtuar zhvillimin e punimeve, ndërsa mazhoranca vijoi me votimin e pikave të rendit të ditës pa diskutime. Në total, u miratuan me procedurë të përshpejtuar 31 çështje, mes tyre rezoluta për raportimet e institucioneve të pavarura, projektligje, amendamente dhe emërime në komisione të prokurimit.

Një prej pikave kryesore të votuara ishte edhe raporti për Reformën Territoriale, i cili u miratua me 84 vota pro, vetëm nga deputetët e mazhorancës. Opozita kishte kërkuar shtyrjen me tre muaj të afatit të Komisionit të Posaçëm, por kërkesa u rrëzua nga shumica.

Tensionet nisën që në fillim të seancës, ku deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, tentoi të hidhte ujë në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Ndërhyrja e Gardës shmangu përplasjen, ndërsa Bardhi u përjashtua më pas nga punimet e seancës.

Situata u përshkallëzua sërish në përfundim të votimeve, kur teksa kryeministri Rama po largohej nga salla, deputetë të opozitës hodhën drejt tij dosje, fleta dhe kartonë votimi. Objekte u hodhën edhe në drejtim të ministrit të Financave, Petrit Malaj.

Pas incidenteve, deputetët demokratë lanë sallën e Kuvendit dhe nuk morën pjesë në votimet e tjera. Gjatë qëndrimit në Parlament, ata vijuan protestën duke qëndruar në foltore dhe duke goditur tavolinat.

Kjo ishte seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, e cila u mbyll pa debat parlamentar, mes tensioneve dhe përplasjeve politike./Versus.al

3 ORE ME PARE

Mes tensioneve në Kuvend, mazhoranca miraton pa votat e opozitës raportin e Reformës Territoriale

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Mes protestës së opozitës dhe ndërprerjes së përkohshme të seancës plenare, Kuvendi miratoi këtë të enjte raportin e ekspertëve për Reformën Territoriale, të hartuar nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm, Arbjan Mazniku.

Raporti kaloi vetëm me votat e mazhorancës, duke marrë 84 vota pro, ndërsa opozita kundërshtoi procesin dhe kërkoi shtyrjen me tre muaj të afatit të komisionit. Kërkesa e deputetëve të Partisë Demokratike u rrëzua nga shumica parlamentare.

Pas refuzimit të kërkesës, deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, duke shkaktuar tensione në sallë dhe duke detyruar drejtuesin e seancës të ndërpriste punimet për pesë minuta.

Me rinisjen e seancës, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi që Kuvendi të kalonte menjëherë në votimin e raportit, pa diskutime të mëtejshme. Drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, e hodhi në votim dokumentin, i cili u miratua me votat e deputetëve të mazhorancës.

Në seancën plenare ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa votimi u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, të shoqëruar me përplasje politike dhe protesta nga opozita./Versus.al

3 ORE ME PARE

Hodhi ujë drejt Ramës, Gazment Bardhi përjashtohet nga seanca e Kuvendit

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar nga seanca plenare e Kuvendit pas një incidenti të ndodhur gjatë zhvillimit të saj.

Ngjarja ndodhi në momentin kur mazhoranca po vijonte votimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës. Sipas pamjeve nga seanca, Bardhi hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, çka solli reagimin e drejtueses së seancës, e cila vendosi përjashtimin e tij.

Ndërkohë, deputetët e opozitës kishin bllokuar foltoren e Kuvendit në shenjë proteste dhe krijuan zhurmë në sallë duke goditur tavolinat me sende, në përpjekje për të penguar zhvillimin normal të seancës.

Pavarësisht tensioneve dhe protestës së opozitës, mazhoranca vijoi procedurat e votimit të projektligjeve të rendit të ditës.

4 ORE ME PARE

Pa uniformë apo numër identifikimi, persona civilë arrestojnë protestuesit

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Dy efektivë të policisë së Rrugores dhe disa persona civilë janë filmuar nga qytetarët teksa arrestojnë disa prej protestuesve të sotëm para Kuvendit.

Pamjet tregojnë momentin kur njëri protestues shoqërohet nga një efektiv i Rrugores, ndërsa për protestuesin tjetër përveç policit, angazhohen edhe 5 persona të tjerë për ta kapur.

Ajo çfarë ngre shqetësim është fakti se nuk dihet çfarë funksioni kanë këta persona pasi nuk mbajnë as uniformë e as numër identifikimi. Versus.al

4 ORE ME PARE

Rama shfaqet në Kuvend, PD nuk lejon prezantimin e raportit për Territorialen, PS kalon direkt në votim

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Kryeministri Edi Rama u shfaq sot në Kuvend për të marrë pjesë në votimin për raportin e përgatitur nga socialistët për Reformën Territoriale.

Partia Demokratike nuk lejoi Arbjan Maznikun që të prezantojë raportin duke zaptuar foltoren e Kuvendit. Në këto kushte, PS kaloi direkt për votim duke miratuar rendin e ditës. Ndërsa seanca u ndërpre deri në rivendosjen e normalitetit. Versus.al

4 ORE ME PARE

Hoxha e Shalsi sulmohen me vezë nga protestuesit, fshihen pas truprojës

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Deputetët e PS, Ervin Hoxha dhe Eduart Shalsi janë sulmuar me vezë nga protestuesit gjatë momentit që po kalonin pranë Kuvendit. Hoxha u fsheh pas njërit prej truprojave të tij, ndërsa Shalsi e ndoqi nga pas për t’u larguar nga protestuesit.

Qytetarët vijuan t’i ndiqnin me fyerje e ofendime të rënda derisa deputetët arritën të largoheshin me makinë. Versus.al

4 ORE ME PARE

Nuk është ujë! Lënda irrituese e përdorur në protestë, shkaktoi skuqje lëkure tek qytetarët

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Pamjet e filmuara tregojnë se lënda që policia hedh me presion të lartë kundrejt protestuesve, nuk ka qenë ujë, por një substancë irrituese, gjë të cilën e pranoi vetë ministri Besfort Lamallari.

Shumë prej qytetarëve në protestë shfaqën probleme me frymëmarrjen, por edhe me acarimin e lëkurës pas lëndës irrituese që u përdor nga policia.

Njëri prej protestuesve humbi ndjenjat dhe u transportua me ambulancë për në spital. Versus.al

 

5 ORE ME PARE

Korreshi ironizon ministrin: Të ishte për Lamallarin, do kishte arrestuar pulat që bëjnë vezë

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi foli në Kuvend dhe ironizoi deklaratat e ministrit Lamallari dhe deputetit Balla i cili i quajti protestuesit “terroristë”.

Korreshi tha se ministri i Brendshëm duhet të merret me rritjen e standarteve të policisë e jo me protestuesit që gjuajnë me vezë të cilët protestojnë për gjendjen e vështirë ku ndodhet vendi dhe emigracioni masiv.

“Po të jetë për Lamallarin dhe skuthlliqet etij do kishte shkuar të arrestonte gjithë pulat që të mos bënin vezë. Se ato janë armët terroriste dhe kimike që po përdorin sot “terroristët” atje jashtë. Të merret me ato forca policie që ka aq vite nuk u blen uniforma. Dalin policët thonë se i kanë me vrima. Ata bij nënash që i nxjerrin aty të përballen me njerëz normalë, i shikoni se nuk u keni dhënë orët shtesë dhe i keni lënë të digjen në vapë. Shikoni aktet terroristeve të atyre kimikateve që po përdor ndaj atyre bij nënash që po dalin atje për vjedhjet që po i bëni Shqipërisë, për nënat që janë me djepet bosh se fëmijët u kanë ikur”- tha Korreshi mes të tjerash. Versus.al

 

5 ORE ME PARE

“Kemi dështuar, qytetarët na shohin si armiq”, deputeti i PD: Këtij parlamenti, i ka ardhur fundi

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Deputeti i PD, Bujar Leskaj ka mbajtur një fjalim të fortë në Kuvend ku u bëri thirrje kolegëve të tij demokratë e socialistë që të kuptojnë se legjislatura aktuale është e dështuar dhe se duhen zgjedhje të reja parlamentare.

Ai tha se deputetët kanë dështuar kur u duhet të mbrohen me gaz lotsjellës nga qytetarët.

“Në rast se ne si deputetë do mbrohemi nga policia me gaz lotsjellës a e kuptojmë ne se si ligjvënës ne jemi të dështuar, kjo legjislaturë është e dështuar, ky sistem është i dështuar? Nëse qytetarët na shohin neve jo si përfaqësues të tyre, madje një pjesë na shikojnë edhe si armiq, a nuk mendoni ju se ne duhet të reflektojmë gjithësecili dhe në këto raste..reflektimi është votëbesimi.

Duhet të kuptojmë se këtij parlamenti i ka ardhur fundi dhe detyra jonë si shtetarë është të përgatisim kushtet për zgjedhjet e reja parlamentare që do na kalojnë në sitë të gjithëve”- tha deputeti. Versus.al

 

5 ORE ME PARE

"Sistem politik banal", Spiropali: Koha për ndryshim, njerëzit janë në rrugë, të papërfaqësuar

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali mbajti fjalën e saj në Kuvend ku u shpreh se vendi ndodhet në një moment historik dhe bëri thirrje për ndryshimin e sistemit politik dhe atij zgjedhor.

“Kam folur për reformimin e pushtetit, nevojën për vetëkorrigjim, nevojën për luftë kundër korrupsionit, për administratën, për nevojën për të kuptuar se ky është moment historik që ndan një epokë nga tjetra. Kam folur për ta ndryshuar këtë sistem politik e zgjedhor i cili ka prodhuar një banalitet sot. Ka prodhuar stabilitet kur marrëveshja u firmos, por sot nuk prodhon më asgjë sepse njerëzit janë të papërfaqësuar dhe janë në rrugë. Këtu nuk ka as idologji asgjë përveçse nevojën e njerëzve për të shpalosur veten në bazë të besnikërive të përkohshme”- tha Spiropali.

Ajo i bëri thirrje edhe kreut të PD, Sali Berisha që të tërhiqej nga drejtimi i PD dhe të linte hapësirë për frymën e re politike. Sipas saj edhe PS e ka fuqinë të bëjë të njëjtën gjë.

“Po Sali ke fuqi të hapësh rrugën dhe të demokratizosh edhe partinë tënde dhe ta çlirosh opozitën. A e ke fuqinë të bëhesh pjesë e një ndryshimi që nuk i takon një partie po i takon të gjithëve? Koha ka ardhur! Unë kam besimin se PS e ka këtë fuqi dhe asnjë nga sulmet e bedelëve politikë nuk më ndal dot se nuk kam asgjë për të fshehur.  Asnjë bedel asnjë njeri që përdor pushtetin apo mendon se ne emër të njërës apo tjetrës mund të dëmtojë familjarisht dikë, nuk do t’ja dali sepse dotë hiqet si apandesit nga kjo shumicë”- shtoi deputetja e cila që pas shkarkimit si ministre e Jashtme ka shprehur vazhdimisht kritika ndaj qeverisë duke bërë thirrje për një ndryshim. Versus.al

7 ORE ME PARE

“Lëndë irrituese ndaj protestuesve”, Lamallari: Kishin lezet molotovët, tani hidhet guri e fshihet dora

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tha se policia kishte përdorur lëndë irrituese ndaj protestuesve të dhunshëm gjatë protestës së sotme. Ndërsa akuzoi PD-në se po mundohej të përvetësonte protestën, ai tha se preferonte kohët kur hidheshin molotovët dhe jo tani që sipas tij “hidhet guri e fshihet dora”.

“Janë lëndë speciale irrituese profesionale për vetëmbrojtje dhe neutralizim të personave të dhunshëm të cilat përdoren nga vende në BE dhe forca të SHBA. Megjithatë lajmi këtu nuk spraji i përdorur, por lajmi është se kishte lezet partia e molotovarëve se i dilte ballë gjësë me njerëzit me kapuça e molotovë atëherë. Por tani që hedhin gurin e fshehin dorën të shndërrohet nga partia e molotovarëve në partinë e skuthave bashkë me nënproduktet e tyre që paguajnë njerëz e mendojnë se protesta bëhet me mercenarë të paguar”- tha Lamallari. Versus.al

7 ORE ME PARE

Protesta jashtë Kuvendit, Bido thotë se s'ka thirrje 'parlament i krimit': Ku u dëgjuan këto?!

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido ka shkaktuar habi me deklaratën e tij të fundit të bërë gjatë seancës plenare. Pavarësisht thirrjeve prej më shumë se 53 ditësh dhe protestës së sotme para godinës së Kuvendit, Bido pretendoi se nuk kishte dëgjuar thirrje “parlament i krimit”.

Ndërkohë që thirrje të tilla janë ato më të shpeshtat më të përsëritura mes protestuesve, deputeti pretendoi se nuk e ka dëgjuar një gjë të tillë.

“Dëgjova pak më parë kolegët e e nderuar, Jorida Tabaku e cila tregonte sesi hyri me qytetarët të cilët thërrisnin ‘parlament krimi etj’. Në fakt ne hymë bashkë dhe nuk kishte njeri andej, ishte vetëm një nga këto vorioepirotistët e Levizjes Bashkë që thërriste ‘tradhtar’. Se ku u dëgjuan këto ‘parlament i krimit’, unë nuk e di”- tha Bido. Versus.al

 

7 ORE ME PARE

“Terroristë”, Balla për protestuesit: Kanë lidhje me Iranin, policia bën punë të shkëlqyer

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Ndërkohë që jashtë Kuvendit mijëra protestues bëjnë thirrje kundër klasës politike dhe u përplasën me efektivët e policisë, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla nuk u përmbajt me fjalorin e tij.

Duke i quajtur “terroristë” protestuesit, Balla tha se ka organizatorët kanë lidhje me Iranin. Madje për ta mbështetur këtë pretendim të tij mori si arsyetim edhe një deklaratë të sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio për rritjen e ekstremizmit në Evropë.

“Duhet të shpresim solidaridetin që 4 policët e plagosur nga dhuna barbare e disa elementëve terroristë të cilët kanë goditur punonjësit e policisë që janë aktualisht në qendrën spitalore. Uroj shumë që jeta e tyre të mos rrezikohet.

Është keqardhje e madhe që PD jo vetëm që nuk e dënon dhunën, por bie pre e një solidariteti të turpshëm me disa terroristë që nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën që nisi si protestë kundër dhunës.

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio një javë më parë në konferencën ndërkombëtare kundër terrorizmit e theksoi se ka lëvizje të ekstremit të cilat mund të rrezikojnë stabilitetin në Europë. Persona të identifikuar prej nesh me lidhje të qarta me gardën revolucionare të Iranit janë orkestruesit kryesorë të akteve të dhunës. Solidariteti i turpshëm i një partie të përdhunuar nga ajo protestë. Ne nuk do tolerojmë që të goditen punonjësit e policisë sepse gjaku i tyre është gjaku i vetë shtetit. Kur ngre dorë ndaj tyre, ngre dorë ndaj shtetit. Policia po bën punë të shkëlqyer. Thirrja ime është për prokurorë e gjyqtarë.. nuk kam asnjë pritshmëri që kjo që ka mbetur nga PD të mos distancohet nga dhuna. Ju mbeteni një grup i përdhunuar nga protesta dhe prandaj ju nuk distancoheni”- u shpreh Balla. Versus.al

8 ORE ME PARE

Tentoi të hynte në seancë plenare, Garda nxjerr jashtë me dhunë Agron Shehajn

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, u përplas me efektivët e Gardës së Republikës, pasi tentoi të hynte në sallën e Kuvendit. Shehaj shihet teksa debaton me punonjësit e Gardës të cilët e largojnë me forcë me arsyetimin se është i përjashtuar nga seancat plenare.

Nga ana tjetër, Shehaj pretendoi se përjashtimi i tij kishte përfunduar.

“Më trego ku e ke shkresën, hiqi duart. Për këtë do mbani përgjegjësi. Mos më shty. Më tregoni urdhrin, ku e keni urdhrin. Më tregoni vendimin. Është çmenduri. Duhet të futesh në Kuvend me dhunë. Hape rrugën, ka skaduar afati më 22 korrik. Nuk preket deputeti me dorë nga asnjë punonjës sigurie. Si më ndaloni mua të hyj në Kuvend“, dëgjohet të thotë Shehaj. Versus.al

 

9 ORE ME PARE

Protesta para Kuvendit, Berisha: Të shkrihet parlamenti, ky është i vetmi vendim i drejtë

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Kryedemokrati Sali Berisha u paraqit në Kuvend së bashku me disa deputetë demokratë. Teksa hyri në zonën e siguruar nga policia, Berisha tha se në rastet kur Kuvendi rrethohet në këtë mënyrë, i vetmi vendim i drejtë është shkrirja e tij.

“I vetmi akt i përgjegjshëm i tij është të deklarojë fundin e tij, shkrirjen e tij dhe hapjen rrugë për zgjidhjen që kërkojnë mbarë rinia dhe qytetarët shqiptarë. Ço akt tjetër është fund e krye i pavlerë ndaj dhe ne kërkojmë sot vetëshpalljen, shkrirjen e këtij parlamenti. Ky është i vetmi vendim i drejtë që parlamenti mund të marrë sot”, tha Berisha. Versus.al

9 ORE ME PARE

Tentuan të kalonin gardhin, policia hedh ujë me piper dhe gaz lotsjellës drejt protestuesve

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Situata në protestën e njoftuar para Kuvendit ka degraduar pasi policia ka hedhur ujë me presion dhe gaz lotsjellës drejt protestuesve.

Këta të fundit po tentonin të kalonin gardhin metalik të vendosur para Kuvendit, por u përballën me reagim të ashpër nga ana e policisë që nuk u kursye me ujin e përdorur dhe gazin lotsjellës.

Nga ana tjetër protestuesit janë kundëpërgjigjur me domate dhe vezë kundrejt policisë. Versus.al

9 ORE ME PARE

Protestuesit sjellin “arsenalin”, arka me vezë e domate gati për deputetët

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Disa arka të mbushura me vezë e domate janë transportuar nga disa protestues pranë Kuvendit ku në orën 10:00 nis seanca plenare e fundit për këtë sesion parlamentar.

Ashtu siç e kanë njoftuar edhe më herët, protestuesit pritet të hedhin vezë kundrejt deputetëve si shenjë revolte për t’u treguar këtyre të fundit se nuk ndihen të përfaqësuar prej tyre. Versus.al

10 ORE ME PARE

Nisin përplasjet me policinë para Kuvendit, protestuesit e shumtë heqin gardhin metalik

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Një numër i lartë qytetarësh janë mbledhur para Kuvendit ku ishte njoftuar protesta e radhës teksa zhvillohet seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar.

Me thirrjet: “nuk na përfaqësoni, parlament i krimit” dhe “hetoni Ramën”, protestuesit nisën tubimin që prej orës 8:30, ndërkohë që seanca plenare mbahet nga ora 10:00.

Si pasojë e tensioneve, protestuesit ndërhynë për të hequr gardhin metalik të vendosur për t’i ndaluar që t’u afrohen deputetëve. Versus.al

 

10 ORE ME PARE

Protesta para Kuvendit, ambasada e SHBA thirrje amerikanëve: Shmangni zonat pranë tubimit

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.

Në prag të protestës që pritet të nisë mëngjesin e sotëm para Kuvendit, ambasada e SHBA u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë në Tiranë që të shmangin grumbullimet e mëdha dhe perimetrin ku mbahet tubimi.

Njoftimi thekson se megjithëse protestat nisin në mënyrë paqësore, nuk përjashtohet mundësia e ndryshimit të shpejtë të situatës duke bërë që revolta të shtrihet edhe në zona të tjerë të institucioneve qeveritare.

Autoritetet amerikane paralajmërojnë se gjatë zhvillimit të protestës mund të ketë prani të shtuar të forcave të policisë, mbyllje të rrugëve, devijime të qarkullimit dhe ndërprerje të trafikut.

Në njoftim, qytetarëve amerikanë u rekomandohet të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat, të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth, të kufizojnë shpërqendrimet si përdorimi i telefonit ose kufjeve në ambiente publike, të ndjekin mediat lokale për përditësime, të kenë një plan emergjence ose strategji daljeje dhe të mbajnë një profil të ulët. Versus.al

11 ORE ME PARE

Ditë e ngarkuar në Kuvend me interpelanca e pr/ligje! Pritet protestë kombëtare, 1500 efektivë në terren

Kuvendi mbyllet pas 8 orësh tensione brenda dhe jashtë godinës.
Perimetri i sigurisë rreth Kuvendit

Kuvendi mblidhet sot në seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar. Rendi i ditës është tejet i ngarkuar, duke nisur nga raportimi i institucioneve të pavarura KLGJ, KLP, KLSH, Prokurori i Përgjithshëm, SPAK, Avokati i Popullit dhe ILD.

Gjithashtu pjesë e rendit të ditës është edhe projektligji për turizmin që synon t’u japë fund gardheve që bllokojnë hyrjen në plazhe dhe ndalimin e ndërtimit gjatë sezonit turistik. Ndërsa nuk është përfshirë në rendin e ditës raporti për Reformën Territoriale pavarësisht se socialistët e kërkonin me ngulm.Në rend dite janë gjithashtu edhe disa interpelanca me ministrin Enea Karakaçi dhe Blendi Gonxhe.

Nga ana tjetër sot protestuesit kanë paralajmëruar një protestë para Kuvendit duke bërë thirrje që qytetarë nga i mbarë vendi të mblidhen para godinës së parlamentit për të shprehur revoltën e tyre ndaj ligjvënësve dhe klasës së vjetër politike.

Në terren janë angazhuar plot 1500 efektivë policie.

Rendi i ditës

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 23.7.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 16.7.2026 dhe 20.7.2026.

2. Njoftime.

3. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025".

4. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025".

5. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025".

6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025".

7. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025".

8. Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025".

9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025".

10. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.

11. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Bujar Leskaj.

12. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erald Kapri. 13. Akt normativ nr. 2, datë 30.6.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026" 14. Akt normativ nr. 3, datë 6.7.2026, "Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturorturistik me përmasa ndërkombëtare".

15. Projektligji “Për grupimet ekonomike me interes evropian".

16. Projektligji "Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)".

17. Projektligji “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)".

18. Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim". 19. Projektligji "Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve".

20. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 48/2014, “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare", të ndryshuar".

21. Projektligji "Për shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.

22. Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 93/2015, "Për turizmin", i ndryshuar". 23. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 08.07.2004, "Кodi Detar Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar". 

24. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008, "Për Avokaturën e Shtetit", të ndryshuar".

25. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10093, "Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile".

26. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2018, "Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare"

27. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 07.07.2008, "Për pronësinë industriale", të ndryshuar".

 

28. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 173/2014, “Për disiplinën në Forcat Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar".

29. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 82 datë 26.07.2024, “Рër Policinë e Shtetit".

30. Projektvendim "Për emërimin e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik".

31. Projektvendim "Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik". 32. Projektvendim "Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik". 33. Projektvendim "Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik". 34. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë. Versus.al

Poll