Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një stuhi me erë të fortë, shi të dendur dhe shkarkesa të forta elektrike përfshiu pjesën më të madhe të territorit shqiptar mbrëmjen e djeshme. *Në jug të vendit, një numër i madh turistësh të huaj u panë teksa nxitonin të gjenin strehë për t’i shpëtuar stuhisë. Ndërsa era e fortë rrëzoi disa pemë dhe shtylla elektrike duke lënë pa energji një pjesë të Himarës. Për të rregulluar defektin, një punonjës i OSHEE u ngjit në një shtyllë elektrike rreth orës 03:00 të mëngjesit, por fatkeqësisht e zuri korenti dhe rripi i sigurisë u shkëput duke bërë që të binte nga shtylla dhe të humbte jetën. Gjithashtu edhe një peshkatar u gjet i pajetë në Ksamil ku dyshohet të jetë mbytur si pasojë e stuhisë. *Në Sarandë 3 persona u plagosën si pasojë e xhamave të thyer nga era e fortë dhe pemët e rrëzuara.
Viktima e dytë nga moti i keq në vend, peshkatari në Ksamil gjendet i mbytur pas stuhisë

Është shënuar viktima e dytë si pasojë e motit të keq në vend. një peshkatar është gjetur i pajetë në zonën e Ksamilit që u përfshi nga një stuhi e fortë mbrëmjen e djeshme.
Peshkatari Mihal Zoi dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në det.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e djeshme kur i gjithë jugu i vendit u përfshi nga era e fortë dhe shiu i dendur me shkarkesa elektrike. Mëngjesin e sotëm edhe një elektriçist i OSHEE humbi jetën teksa përpiqej të rilidhte kabujt e energjisë elektrike. Versus.al
Vështirësi nga moti i keq në Sarandë, stuhia fundos 2 mjete lundruese

Policia detare në Sarandë ka ndërhyrë në tetë raste për t’u ardhur në ndihmë pronarëve të disa mjeteve lundruese pas dëmeve të shkaktuara nga stuhia dhe moti i keq në det.
Tre mjeteve u është dhënë ndihmë në Bunec dhe u transportuan më pas në portin në Limjon. Dy mjete i ka përfshirë furtuna tek Kepi i Qefalit, ka shkuar skafi BP 11 dhe 1 prej tyre ka bërë rimorkimin në Portin e Limjonit.
Një prej mjeteve u ankorua në portin e Sarandës, ndërsa 2 skafe të ankoruara në portin e Limjonit u tërhoqën rreth 100 metra larg nga bregu dhe u fundosën si pasojë e stuhisë. Versus.al
Shkoi të riparonte dëmet pas stuhisë në Himarë, punonjësi i OSHEE bie nga shtylla dhe humb jetën

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Himarën mëngjesin e sotëm. Një punonjës i OSHEE-së humbi jetën teksa ndërhyri për të riparuar një defekt në rrjetin elektrik të zonës.
Tragjedia ndodhi rreth orës 03;00 kur moti i keq dhe erërat e forta kishin shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.
Viktima është 55 vjeçari Bashkim Boçi nga Elbasani, i cili ishte dërguar për të ndihmuar ekipet lokale të OSHEE-së në rikthimin e energjisë.
55 vjeçari ka qenë i ngjitur në shtyllë, duke tentuar të rilidhë një kabull energjie, kur i është shkëputur rripi i sigurisë që e lidhte për mesi. Kjo ka bërë që të rrëzohet nga shtylla në një lartësi 9 metra, e për pasojë të ndërrojë jetë. Versus.al
Stuhia e fuqishme përfshin vendin, pemë të rrëzuara në jug! Plagosen 3 persona në Sarandë

Një stuhi e fuqishme tropikale përfshiu mbrëmjen e djeshme pjesën më të madhe të vendit, duke shkaktuar edhe dëme materiale kryesisht në zonën e jugut.
Në Vlorë e Sarandë, turistët e huaj nxituan që të gjenin strehim pas stuhisë së fortë, pemëve që binin e sendeve që merrte me vete era.
Si pasojë e stuhisë, në Sarandë janë lënduar 3 persona të cilët u plagosën nga thyerja e xhamave të automjeteve të dëmtuara nga rrëzimi i një pishe. Një prej tyre u godit nga degët e pemës teksa ecte me motor.
Disa zona kanë patur edhe probleme me energjinë elektrike, ndërsa raportohen dëme në biznese e banesa. Moti i keq përfshiu edhe Durrësin, por deri më tani nuk raportohet për probleme. Versus.al

