Çfarë do të gjeni në brendësi
Protesta qytetare kundër qeverisë do ta zhvendoset këtë të enjte para godinës së Kuvendit. Pas 53 ditësh protesta të pandërprera para Kryeministrisë, organizatorët kanë bërë thirrje që qytetarët të mblidhen në orën 08:30, me synimin për të penguar hyrjen e deputetëve në Parlament dhe për të ushtruar presion ndaj mazhorancës. Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash ku sipas burimeve, rreth 1.200 efektivë policie do të angazhohen për garantimin e rendit dhe sigurisë në zonën e Kuvendit dhe institucioneve përreth.
Të enjten protesta zhvendoset tek Kuvendi, qytetari me vezë para Kryeministrisë: Policia të mos na provokojë, kjo është “arma” jonë!

Në ditën e 53-të të protestës para Kryeministrisë, protestuesit paralajmëruan se të enjten do ta zhvendosin tubimin përpara Kuvendit, me synimin për të kundërshtuar zhvillimin e seancës parlamentare.
Gjatë fjalës së tij, eksperti i IT-së Gent Progni u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestë, duke theksuar se reagimi do të jetë pa përdorimin e mjeteve të rrezikshme.
Ai deklaroi se protestuesit do të përdorin vetëm vezë dhe i kërkoi Policisë së Shtetit të shmangë provokimet gjatë tubimit.
“Policia të mos na provokojë, pasi ne do të gjuajmë vetëm me vezë. Këto janë vezë, nuk të vrasin. Mos ke frikë nga veza, pasi vetëm veza mjafton të tregojë sa i pisët je”, u shpreh Progni.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mblidhen të enjten në orën 08:30 përpara Kuvendit, duke deklaruar se synimi i protestës është të pengojë, përmes presionit qytetar, miratimin e ligjeve në seancën parlamentare.
“Ne nuk do t’ju lejojmë të votoni ligjet”, tha ai, duke ftuar protestuesit të vijojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim./Versus.al
Protesta e 53-të, banorja e Rrjollit : Pronat tona nuk do t’i gëzojnë oligarkët, çështja në Gjykatën e Lartë

Aktivistja Luçiana Kokaj ka ngritur sërish çështjen e pronave të Rrjollit gjatë protestës së 53-të para Kryeministrisë, duke deklaruar se beteja ligjore për këto prona vijon në Gjykatën e Lartë.
Kokaj pretendoi se gjatë procesit të tjetërsimit të pronave janë kryer shkelje ligjore dhe falsifikime, ndërsa theksoi se banorët disponojnë dokumente pronësie të trashëguara prej dekadash.
Sipas saj, çështja ka kaluar të gjitha shkallët e drejtësisë dhe tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Lartë.
“Ne nuk kemi një dokument të vetëm, por kemi të gjitha dokumentet për t’iu kthyer pronat ish-pronarëve. Kemi vendime gjykate për pronat tona dhe çështja jonë është në Gjykatën e Lartë”, deklaroi Kokaj.
Aktivistja akuzoi se pas këtyre pronave ka interesa të personave me pushtet dhe bizneseve të mëdha, duke u shprehur se ato nuk do të përfitojnë nga këto toka.
Gjatë fjalës së saj në protestë, Kokaj iu drejtua edhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që ai të takohet drejtpërdrejt me banorët e zonës.
“Bëhu burrë dhe hajde tako malësorët, jo njerëzit e administratës. Historinë nuk e ndryshoni me hipoteka dhe dokumente të falsifikuara”, tha ajo.
Kokaj deklaroi se banorët do të vijojnë përpjekjet e tyre ligjore dhe publike, duke theksuar se sipas saj, “tokën e Rrjollit nuk do ta gëzojnë oligarkët”./Versus.al
Dita e 53-të e protestës, aktivistja: Ne jemi “Europa” që i thotë hajdutëve nuk na përfaqësoni!

Protesta qytetare kundër qeverisë ka vijuar edhe në ditën e saj të 53-të, me pjesëmarrësit që kanë përsëritur kërkesën për ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë tubimit, protestuesit deklaruan se do të vijojnë të jenë në shesh dhe se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre. Sipas tyre, protesta është kthyer në një lëvizje qytetare që synon të kërkojë llogaridhënie nga institucionet dhe transparencë për vendimmarrjet e qeverisë.
Një prej aktivisteve u shpreh se 53 ditët e protestës kanë sjellë, sipas saj, një nivel të ri solidariteti mes qytetarëve dhe një ndërgjegjësim më të madh shoqëror.
“Jemi këtu për t’ju larguar ju që doni të na largoni nga vendi ynë. Në 53 ditë nuk ka ndodhur vetëm një demonstratë, por një ndryshim rrënjësor i shoqërisë shqiptare. Na referoheshin si një shoqëri që nuk di të bashkohet dhe të dalë përballë atyre që e dhunojnë”, u shpreh ajo.
Aktivistja deklaroi gjithashtu se mbështetja e qytetarëve dhe vëmendja e mediave ndërkombëtare janë, sipas saj, tregues të rëndësisë së kësaj proteste.
“Ne jemi bërë Europë, Europa që u thotë hajdutëve: nuk na përfaqësoni, Europa që i del përballë krimit”, tha ajo.
Duke iu referuar punës së institucioneve të drejtësisë, aktivistja vlerësoi hetimet e SPAK dhe BKH si një sinjal pozitiv, ndërsa kërkoi që organet ligjzbatuese të verifikojnë çdo pretendim për shkelje ligjore.
“Ne kemi një kërkesë: hetoni Ramën. Institucioneve të drejtësisë u themi vetëm një gjë, hetoni Ramën”, deklaroi ajo.
Protestuesit kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkesat e tyre mbeten të njëjta: përgjegjësi institucionale dhe ndryshim politik./Versus.al

