AKTUALITET /

Të premten reshje shiu dhe shtrëngata në jug, pezullohen lundrimet në Sarandë dhe Vlorë. Bashkitë apel pushuesve për kujdes

utoritetet kanë bërë thirrje që mjetet lundruese të mos dalin në det deri në përmirësimin e situatës.

Shkruar nga Versus

Të premten reshje shiu dhe shtrëngata në jug, pezullohen

Përkeqësimi i kushteve atmosferike ka sjellë masa parandaluese në zonat bregdetare të jugut të vendit. Për ditën e premte parashikohen reshje intensive shiu, shtrëngata dhe stuhi lokale, të shoqëruara me erë të fortë.

Kapiteneria e Sarandës ka vendosur pezullimin e lundrimeve për tragetet, anijet turistike dhe mjetet e peshkimit, për shkak të kushteve të pafavorshme në det. Autoritetet kanë bërë thirrje që mjetet lundruese të mos dalin në det deri në përmirësimin e situatës.

Edhe Bashkia e Vlorës ka paralajmëruar qytetarët dhe vizitorët për përkeqësimin e motit, duke kërkuar shmangien e lëvizjeve të panevojshme dhe tregim të kujdesit të shtuar në plazhe dhe zona pranë detit.

Në njoftimin e saj, Bashkia Vlorë këshillon qytetarët të mos qëndrojnë pranë pemëve apo strukturave të pasigurta, ndërsa apelon që të shmanget ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, pyje dhe kullota, për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve.

Për situatën ka reaguar edhe Bashkia Himarë, e cila ka bërë me dije se territori i saj pritet të përfshihet nga reshje shiu, shtrëngata dhe stuhi lokale me intensitet të lartë në intervale të shkurtra.

Autoritetet lokale u kanë kërkuar qytetarëve, bizneseve dhe pushuesve të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet gjatë përkeqësimit të motit dhe të mos qëndrojnë pranë zonave me rrezik përmbytjeje apo përrenjve.

Strukturat e Mbrojtjes Civile në zonat bregdetare janë vendosur në gatishmëri për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje në rast nevoje./Versus.al

 

 

Poll