Kryeministri Edi Rama teksa përgatitej për të shkuar në takimin elektoral përmbyllës në Fushë Krujë, nëpërmjet një video në rrjetet sociale u bëri thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë të regjistruar për të votuar që të paraqiten në zyrat e postës për të lënë zarfin.
Teksa përmendi disa shifra, Rama tha se numri i atyre që kanë dorëzuar zarfet është inkurajues, por nënvizoi se ende një numër i lartë votuesish nuk e kanë dorëzuar zarfin duke u kërkuar emigrantëve që të bënin një tjetër sakrificë dhe të paraqiteshin personalisht për të dorëzuar votën në postën e DHL.
“Po shikoj të dhënat e KQZ dhe të zarfeve të dorëzuar në KQZ. Jemi në një situatë ku është vërtet inkurajuese pjesëmarrja e lartë në krahasim me një sërë vendesh të tjera, por si hera e parë duhet të jetë shumë më e lartë besoj unë. Doja t’u thoja shqiptarëve të Italisë që janë në krye, forca janë edhe 21 mijë zarfe të padorëzuar. Do u thoja shqiptarëve të Greqisë që janë më mbrapa të gjithëve, jo për fajin e tyre, forca janë edhe 36 mijë zarfe të padorëzuar, por ka Akoma kohë. Mos prisni më që të vijnë t’ua marrin por kthejeni mbrapsht në pikën e DHL. Nga Gjermania janë ende 7 mijë pa dorëzuar, bëni përpjekje të fundit. Amerika shumë mbresëlënëse, 70% por janë ende 5 mijë pa dorëzuar.
Britania e Madhe, më pak 59% me 7 mijë zarfe të padorëzuar ende. Dhe të tjerat në total kanë një shifër goxha inkurajuese, 80% janë dorëzuar. Kështu që do ju lutesha shumë të ecim sa më shpejt, është mundësi historike dhe moment historik dhe do ishte gjynah që pasi keni bërë mundimin për t’u regjistruar, të mos bëni dhe mundimin për të dorëzuar fletën e votimit. Fluksi vijon të rritet, por ditët po shkurtohen. Deri të premten gjithçka duhet të jetë përfunduar”- u shpreh Rama. Versus.al








