Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot takime elektorale në qarkun e Elbasanit ku u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për të larguar qeverinë e Edi Ramës duke e akuzuar këtë të fundit se e ka shkretuar vendin duke shkaktuar largime masive.
Berisha tha se krahasuar me vitin 2013, çmimet sot janë 250% më të shtrenjta. Kështu argumentoi se ushqimet që blinin me pensionin 143 mijë lekë, sot duhet një pension 390 mijë lekë të vjetra për t’i blerë.
I premtoi rritjen e rrogave, pensioneve si dhe rimbursimin e ilaçeve për të sëmurët.
“Në Shqipëri nga viti 2013 gjer në vitin 2024, çmimet janë rritur 250 përqind. Shkoni blini bukën sot, sa e merrni qumështin sot, po mishin? E merrnit 700 lekë, tani e merrni 1700 lekë. Pra, ekonomistët kanë llogaritur se për të blerë ato që blinit me pensionin 143 mijë lekë, për të blerë sot duhet një pension 390 mijë lekë se çmimet janë rritur shumë. Kjo detyroi me qindra mijëra familje t’u thonë fëmijëve ikni se nuk del sofra, merrni rrugët e dheut.
Sot ndodh që qindra mijëra pensionistë nuk marrin dot ilaçet. A merren ilaçen me 140 mijë lekë? Ata ose kafshatën, ose ilaçet. Ose qiraja. Pra i zhyti në vetmi. Ua largoi fëmijët. I bëri të flasin me vete, të qajnë me lot mjerimi. Merr fund me 11 maj. Çfarë do bëjmë ne? Ne do ua kthejmë paratë ju. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro.
Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1250 euro. Nuk do ketë rrogë për mësuesin nën 1500 euro. Mjekëve dhe infermierëve do u dyfishohen rrogat. Miq, a mundet një shtet me 8 milardë euro buxhetin, të lërë pa ilaçe, të lërë në kthetrat e vdekjes të sëmurët në Spitalin Onkologjik?
Në vitin 2010 apo 2013, ne kishim gjysmën e këtij buxheti, po pa ilaçe nuk mbetën kurrë ata. Nuk mundet, janë përparësi absolute. Ne zotohemi këtu se do adaptojmë një për një listën e rimbursimit që ka republika italiane”- u shpreh Berisha. Versus.al








