
Në takimin elektoral me mbështetësit në Librazht, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se 10 ditë më parë, i shumëkërkuari Suel Çela ka dhunuar shoferin e ministrit Taulant Balla.
Sipas kreut të PD, shkak është bërë fakti se nuk kishte mbështetur Sara Milen, kandidaten e PS në listën e hapur për zgjedhjet e 11 majit. Berisha shtoi se Balla heshti për ngjarjen edhe pse personin e dhunuar e kishte shofer prej vitesh.
“Miq, 11 Maji është dita të ndryshojmë, është dita të votojmë për dinjitetin tonë. Dita të votojmë për paqen, për sigurinë tonë dhe të japim ndëshkimin më të madh krimit. Çfarë fitoi Tao nga votat tuaja? Tao fitoi qindra milionë të fshehura. Fitoi pasuri, fitoi emër më të keqin si baloz krimi në Elbasan dhe Shqipëri.
E morët vesh besoj, para dhjetë ditësh, Sueli ia bëri për spital shoferin. Dhe Tao e qepi gojën si i paqenë, si ushtar i Suelit. Turp të ketë. Tao Burreci e qepi gojën ndaj njeriut që e kishte pasur vite shofer. Ia theu kockat sepse nuk mbështeti Sara Milen. E kuptoni ju? Qytetarë të Librazhdit, jeni njerëz të lirë, duhet të ndëshkoni këtë bandë me votën tuaj. Dhe u garantoj ju se Suelin dhe Suelët si ai, do shpallen terroristë me datën 12 maj"- u shpreh Berisha. Versus.al








