Pavarësisht rinumërimit të votave në tre qarqet kryesore të vendit – Fier, Tiranë dhe Durrës – asnjë mandat nuk ndryshoi, ndërsa Partia Demokratike doli humbësja më e madhe nga kjo fazë e dytë e procesit zgjedhor.
Në Fier, rinumërimi i hoqi mandatin Zegjine Caushit, por Maldrita Bardhos e refuzoi ta pranonte, duke mbyllur kështu çdo mundësi për ndryshim në përbërjen përfundimtare të Kuvendit nga ky qark. Humbjet më të mëdha në vota i pësoi Partia Demokratike, e cila në Tiranë humbi 612 vota, në Fier 147 dhe në Durrës 18 vota. Edhe Partia Socialiste shënoi rënie në Tiranë me 318 vota më pak dhe në Durrës me 5, ndërsa në Fier arriti të rikuperonte 30 vota.
Në Tiranë, gara më e ngushtë ishte mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit; kjo e fundit e uli diferencën nga 140 në 70 vota, por pa arritur të sigurojë mandatin. Ndërkohë, kandidati Ilir Alimehmeti, i cili kishte ngritur pretendime për trafik votash, rezultoi se kishte përfituar 137 vota të pamerituara. Anëtarët e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) deklaruan se këto lëvizje rezultuan kryesisht nga gabime njerëzore gjatë numërimit të parë. Megjithatë, në Fier u evidentua një fenomen më shqetësues, ai i tjetërsimit të votave mes kandidatëve të së njëjtës listë, gjë që ka ngritur dyshime për krime zgjedhore nga ana e numëruesve.
Në Durrës, rinumërimi i hoqi 86 vota ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe i shtoi 12 vota kandidatit Aulon Kalasa, por këto ndryshime nuk ndikuan në përfundimet përfundimtare. Tashmë, KAS pritet të mblidhet ditën e hënë për të vendosur nëse rezultatet e këtyre qarqeve do të konsiderohen të vlefshme apo jo, duke mbyllur kështu një nga kapitujt më të debatueshëm të këtij procesi zgjedhor. /Versus.al







