Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, gjatë një konference ku ishin të pranishëm ambasadorët e Shqipërisë në shtete të ndryshme, dha një lajm të rëndësishëm përsa i takon diversifikimit të burimeve të gjelbërta të energjisë. Ajo tha se ka nisur puna për parkun e erës në Tropojë që do të jetë një ndër projekteve më të mëdha në Europë për energjinë eolike.
"Në muajt në vazhdim, po përgatitemi për një nga projektet më të mëdha në Europë të prodhimit energjitik eolik. Për parkun e erës të vendosur në zonën e Tropojës e cila ka nisur të gjithë procedurat e autorizimeve e financuar nga një nga kompanitë më të mëdha amerikane që do t’i shtojë kurorës tonë energjitike një tjetër component të gjelbër.
Është krenari për ne kur ulemi në tryezat e negociatave dhe tek dëgjojmë kolegët e vendeve të tjera të kalojnë vështirësitë e tyre të tranzicionit, ne jemi gjithmonë aty duke thënë që Shqipëria po punon, por jo për një tranzicion të gjelbër, por për të diversifikuar një portofol të disa burimeve të gjelbërta”- deklaroi Balluku ndër të tjera. Versus.al







